Diyaneti është një nga autoritetet qeveritare më me ndikim në Turqi. Sipas informacioneve të saj, ajo punëson mbi 140,000 njerëz dhe ofron shërbime fetare në më shumë se 100 vende të botës. E themeluar në vitin 1924, agjencia ka qenë në varësi të drejtpërdrejtë të Presidentit islamik-konservator Rexhep Tajip Erdogan që nga viti 2018. Buxheti i saj vjetor prej afërsisht tre miliardë eurosh tejkalon edhe buxhetet e disa ministrive, përfshirë Ministrinë e Brendshme Turke.
Diyaneti menaxhon 90,000 xhami në të gjithë Turqinë, organizon pelegrinazhe vjetore, koordinon ritualet për Kurban Bajramin dhe organizon kurse kurani dhe ngjarje kulturore. Gjithashtu ajo trajnon imamë dhe i dërgon ata për të dhënë mësim si në vend ashtu edhe jashtë Turqisë. Fondacioni i saj është aktiv në 150 vende dhe arrin miliona njerëz përmes programeve arsimore dhe bursave, nga Lindja e Largët në Amerikën Latine.
Diyanet merr autoritetin e interpretimit të përkthimeve të kuranit
Në vitet e fundit, kompetencat e Diyanetit janë zgjeruar vazhdimisht. Agjencisë i është dhënë ndërkohë edhe kompetenca për të interpretuar përkthimet kuranore. Një ligj i miratuar së fundmi i jep fuqinë për të shqyrtuar përkthimet, e nëse ato “nuk përputhen me karakteristikat themelore të islamit”, mund të ndalohen. “Kopjet problematike” që janë botuar tashmë mund të konfiskohen dhe shkatërrohen. Kjo vlen edhe për përmbajtjen dixhitale, siç janë tekstet, regjistrime audio dhe video në internet.
Presidenti Erdogan i kishte dhënë më parë Diyanetit këtë autoritet me dekret, gjë që çoi në klasifikimin e disa përkthimeve si “të pavërteta”. Megjithatë, ky vendim nuk u pranua në Gjykatën Kushtetuese. Me ligjin e ri, kjo kompetencë tani është sanksionuar ligjërisht dhe kështu nuk është më antikushtetuese.
Kritikët: “Shpallje falimentimi e shtetit turk”
Teologët kritikë ndaj qeverisë flasin për censurë dhe një “islam të diktuar nga shteti” që rrezikon lirinë fetare. Për teologun e njohur Prof. Dr. Sönmez Kutlu, ky hap është një deklaratë falimentimi e shtetit. Sipas tij, një vend me mbi 100,000 punonjës të Diyanet dhe më shumë se 100 fakultete teologjie duhet të jetë në gjendje ta mbrojë Kuranin nga të ashtuquajturat përkthime problematike jo përmes ndalimeve, por përmes metodave intelektuale dhe shkencore. Ai gjithashtu paralajmëron se botimet që përmbajnë vargje kuranore të përkthyera që dyshohet se “kundërshtojnë karakteristikat themelore të Islamit” mund të çojnë gjithashtu në hetime dhe ndjekje penale.
Teologu Ihsan Eliacik e sheh autoritetin e ri të Dijanetit si një shkelje themelore të Islamit. “Në Islam,” thotë Eliacik, “asnjë institucion nuk mund të qëndrojë midis njerëzve dhe Allahut. Megjithatë, shqyrtimi i Kuranit nga Dijaneti për ‘vërtetësinë’ bën pikërisht këtë.” Përkthimi i Kuranit nga vetë Eliacik më parë ishte konsideruar problematik dhe u ndalua nga Diyaneti. Ai paditi Gjykatën Kushtetuese dhe fitoi. Me dispozitat e reja ligjore, kjo nuk është më e mundur.
Ömer Özsoy, Profesor i Teologjisë në Universitetin Goethe në Frankfurt am Main, dyshon se ligji i ri pasqyron ndikimin në rritje të qarqeve shumë fetare në qeveri. “Për rreth një dekadë, këto qarqe kanë kundërshtuar hapur teologjinë akademike, kritike dhe pluraliste në fakultetet teologjike islame në Turqi”, thotë Özsoy e shton se ata “kanë kryer fushata sistematike kundër teologëve të shquar për njëfarë kohe”. Ligji i ri mund të zbatohet gjerësisht në një “interpretim shtypës dhe të motivuar politikisht”, thekson eksperti.
Roli i përkthimeve të Kuranit
Kurani, libri i shenjtë i myslimanëve, është shkruar në arabisht. Përkthimet janë të rëndësishme për t’i bërë tekstet të arritshme për miliona njerëz. Megjithatë, ato përfshijnë edhe interpretime, veçanërisht kur bëhet fjalë për fjalë ose fragmente të paqarta. Kjo e bën temën shumë të ndjeshme. Rëndësia e përkthimeve të Kuranit në vendet jo-arabe si Turqia është rritur vitet e fundit. Në të kaluarën, shpjegon profesori i teologjisë Özsoy, “studimi i Kuranit ishte përgjegjësi e dijetarëve fetarë”. Megjithatë, teologu thotë se gjërat janë ndryshe sot. “Sot, besimtarët laikë e lexojnë Kuranin drejtpërdrejt dhe e interpretojnë atë në mënyrë të pavarur”. Sipas tij, kjo është për shkak të individualizimit, të menduarit kritik dhe shfaqjes së lëvizjeve dhe trendeve të ndryshme. Sipas Özsoy, numri i përkthimeve turke të Kuranit është rritur në dekadat e fundit. Shumë prej përkthyesve nuk kanë kualifikimet e nevojshme profesionale. Ky problem diskutohet gjerësisht midis ekspertëve dhe ekziston literaturë e gjerë akademike mbi këtë temë.
Feja është gjithnjë e më shumë në qendër të diskursit shoqëror në Turqi. Të rinjtë, në veçanti lexojnë shkrimet e shenjta dhe diskutojnë për islamin, duke vënë në pikëpyetje shumë nga teoritë e tij, gjë që përbën shqetësim për qeverinë. Presidenti Erdogan ka theksuar prej kohësh dëshirën e tij për të rritur një “brez të devotshëm”.
Megjithatë, studimet e fundit nga instituti i sondazheve Konda tregojnë të kundërtën: përqindja e njerëzve që e përshkruajnë veten si fetarë ra nga 55 përqind në vitin 2018 në 46 përqind sot, ndërsa përqindja e ateistëve ose jobesimtarëve u rrit nga dy në tetë përqind gjatë së njëjtës periudhë./DW