Alsat 2019-05-07T15:34:02+02:00
Banorët e Strugës këto ditë përsëri ballafaqohen me ujë të turbullt, i cili vjen nga ujësjellësi i qytetit. Kjo ndodhë thuajse çdoherë pas reshjeve të shiut. Alsat tentoi të kontaktojë me krerët e ndërmarrjes publike “Proakua Strugë” për të marrë më shumë informata, por kompetentët nuk u përgjigjën në telefonatat tona. Ish drejtori i kësaj ndërmarrje, Vait Ajro sqaroi përse ndodh ky problem.
Me vite përsëritet problemi i njëjtë. Jo që nuk ka zgjidhje. Zgjidhje ka, por se duhet të intervenohet në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm në pikat e para ku akumulohet uji. Ato kalojnë nëpër dy hidrocentrale të vogla, me të cilat menaxhon një kompani private me koncesion dhe arrijnë deri në rezervuarin e fshatit Zagraçan. Atje, ujërat e turbullt turbullojnë tërë rezervuarin – deklaroi Vait Ajro, ish drejtor i “Proakua”.
Nga Qendra e shëndetit publik në Ohër njoftuan se uji po kthehet në kufirin e lejuar të turbullirës. Sipas matjeve të fundit uji nuk mund të përdoret vetëm në fshatin Drasllavicë.
“Gjithashtu, njoftojmë se pas takimeve të mbajtura me përfaqësuesit e kompanisë EM “Hidrocentrale”, ata u angazhuan që ky problem të rregullohet gjatë vitit dhe nuk do të përsëritet më”, njoftojnë nga NP “Proakua”.
Qytetarët thonë se janë dëshmitarë të ujit të turbullt nga çezmat.
“Kur bie shi, uji është i turbullt. Blejmë ujë dhe atë e pimë”.
“Shpesh uji është i turbullt. Çka dhe si, nuk e dimë. Ka organe që duhet të kujdesen për këtë çështje ndërsa si e bëjnë punën e tyre, nuk di”.
Struga me ujë të pijshëm furnizohet nga burimet natyrore në Belicë të Epërme dhe fshati Shum.
Miki Trajkovski
Loading…

