LSDM do të propozojë amendamente për ato pjesë të propozim-ligjit për përdorim të gjuhëve, që ishin të diskutueshme dhe që shkaktuan debat. Këtë e deklaroi mbrëmë Tomisllav Tuntev, koordinator i LSDM-së në emisionin Top Tema në Tv Telma. Ai me këtë rast deklaroi se tashmë është formuar grup punues nga disa deputetë të LSDM-së, të cilët i përgatisin amendamentet. “Do të intervenohet me amendamente pikërisht në ato dispozita që ishin diskutabile, nëse do të ketë dygjuhësi, nëse ligji na qenka për dygjuhësi ose për gjuhën shqipe, ose nëse do të ketë dygjuhësi në Maqedoninë Lindore apo në vende të vogla, ose nëse paratë do të jenë në dy gjuhë. Do t’i precizojmë dispozitat ligjore që të mos mundet ligji të interpretohet në këtë, apo atë mënyrë”, deklaroi Tuntev.
Gjykuar nga paraqitja e deputetit Rexhail Ismaili në këtë emision, BDI duket e pafuqishme kundrejt synimit të LSDM-së për të ngushtuar hapësirën e gjuhës shqipe me amendamente të reja. Ai nuk paralajmëroi asnjë hap konkret të BDI-së për të penguar një gjë të tillë, por në stilin e një aktivisti të sektorit civil vetëm bëri apel që deputetët maqedonas të kenë kujdes me amendamentet.

