“Nuk mendoj se do të rezistojnë shumë. Duhet ta marrim”,këmbënguli presidenti republikan i SHBA-së, Donald Trump, duke iu përgjigjur një gazetari në Florida se çfarë synon t’u thotë evropianëve, të cilët e kanë bërë të qartë se kundërshtojnë planin e tij.
Ai deklaroi se SHBA-ja do të diskutojë planin për marrjen e Groenlandës në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos këtë javë dhe përsëriti edhe një herë se Danimarka “nuk mund ta mbrojë” Groenlandën.
“Unë i njoh udhëheqësit e Danimarkës, janë njerëz të shkëlqyer, shumë të mirë, por as që shkojnë atje”, tha Trump.
“Duhet ta marrim. Duhet ta bëjnë. Ata nuk mund ta mbrojnë”, shtoi ai.
Presidenti amerikan konfirmoi gjithashtu mbrëmjen e së hënës se i ka dërguar ftesë homologut të tij rus, Vladimir Putin, për t’u bërë anëtar i “Këshillit të Paqes”, një nismë e tij që synon zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.
“Është ftuar”, tha Trump para gazetarëve.
Ndërkohë, Trump kërcënoi se do të vendosë tarifa doganore prej 200% për pijet alkoolike të importuara nga Franca, verërat dhe shampanjat, për shkak të refuzimit të presidentit francez Emmanuel Macron për t’iu bashkuar “Këshillit të Paqes”.
“Do t’i rris në 200% tarifat doganore për verërat dhe shampanjat e tyre. Dhe ai do të bashkohet. Por nuk është i detyruar të bashkohet”, deklaroi Trump në Florida.
Burime pranë presidentit francez Macron i thanë Agjencisë Franceze të Lajmeve se Parisi nuk ka ndërmend, në këtë fazë, t’i japë “ndonjë vazhdim pozitiv” thirrjes së Uashingtonit që kreu i shtetit francez të bëhet pjesë e “Këshillit të Paqes” të presidentit republikan.


