Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe delegacionet e tyre shoqëruese u takuan në Zyrën Mbretërore në Pallatin Al-Yamamah, në Arabinë Saudite, raporton Anadolu.
Princi Bin Salman e priti Trumpin me një ceremoni zyrtare në Zyrën Mbretërore në Pallatin al-Yamamah në Riad.
Delegacioni që shoqëronte presidentin e SHBA-së përfshinte shumë zyrtarë amerikanë si dhe figura kryesore nga bota e biznesit global.
Pas përshëndetjes, midis dy liderëve u zhvillua një takim i shkurtër. Imazhet e takimit u publikuan nga kanali zyrtar i Arabisë Saudite, Al-Ekhbariya.
Trumpit iu shërbye kafe tradicionale saudite dhe ai u përshëndet duke shtrënguar duart me shumë zyrtarë.
– Përgatitjet për Forumin e Investimeve Arabi Saudite-SHBA
Mediat e Arabisë Saudite raportuan se Trump dhe Bin Salman bënë përgatitje për Forumin e Investimeve Arabi Saudite-SHBA në Zyrën Mbretërore në Pallatin al-Yamamah, ku u zhvilluan bisedime midis delegacioneve amerikane dhe saudite.
Kanali Al-Ekhbariya njoftoi se në Forumin e Investimeve Arabi Saudite-SHBA do të diskutohen çështjet politike, ekonomike, të investimeve dhe të sigurisë.
– Temat që pritet të diskutohen gjatë vizitës së Trumpit
Gjatë vizitës së Trumpit, do të diskutohen çështje dypalëshe dhe rajonale tregtare, politike dhe ushtarake.
Sipas mediave amerikane, Trump planifikon të tërheqë 1 trilion dollarë investime nga Arabia Saudite ndërsa administrata saudite premton 600 miliardë dollarë investime.
Gjatë vizitës, pritet të nënshkruhen marrëveshje të rëndësishme tregtare dhe të armëve midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite. Presidenti amerikan do të diskutojë gjithashtu për çështje rajonale dhe ndërkombëtare me zyrtarët sauditë.
Në kuadër të vizitës pritet të diskutohen shumë çështje, përfshirë negociatat bërthamore civile midis SHBA-së dhe Iranit, situatën e Huthive në Jemen, sigurimin e armëpushimit në Gaza, marrëdhëniet me Izraelin dhe situatën në luftën Ukrainë-Rusi.