Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se Rripi i Gazës i rrethuar duhet të shndërrohet në atë që ai e quajti një “zonë lirie” të kontrolluar nga SHBA-ja, megjithëse specifikat në propozimin e tij mbeten të paqarta, transmeton Anadolu.
“Kam koncepte për Gazën që mendoj se janë shumë të mira, ta bëjmë atë një zonë lirie, le të përfshihet SHBA-ja dhe ta bëjmë atë thjesht një zonë lirie. Të kemi një zonë të vërtetë lirie, sepse duket se Gaza, çdo herë, çdo 10 vjet, ndodh, dhe më shumë se kaq. Vërtet ndodh në të gjithë. Nuk u zgjidh kurrë problemi i Gazës”, u tha Trump gazetarëve në Katar para se të nisej për në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndalesa e fundit në turneun e tij në Gjirin Persik.
Trump tha se “nëse është e nevojshme, mendoj se do të isha krenar që SHBA-ja ta kenë, ta marrin, ta bëjnë atë një zonë lirie”.
“Le të ndodhin disa gjëra të mira. Vendosini njerëzit në shtëpi ku mund të jenë të sigurt dhe Hamasi do të duhet të trajtohet”, tha ai.
Trump e paraqiti për herë të parë propozimin e tij që SHBA-ja të marrë pronësinë e Gazës në muajin shkurt. Plani u refuzua gjerësisht nga kombet anembanë botës, por presidenti amerikan ka vazhduar ta përsërisë atë në mënyrë sporadike gjatë tre muajve të fundit.
Megjithatë, përshkrimi i tij i një “zone lirie” është i ri. Detajet se çfarë do të nënkuptojë kjo mbeten të pakta pasi presidenti nuk dha hollësira gjatë fjalimeve të tij të shkurtra.