Policia ka shpallur në kërkim 48-vjeçarin Jorgo Kumaraku, i njohur edhe me identitetin Leonard Kumaraku, i cili akuzohet për grabitje dhe tentativë përdhunimi.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 2 të Sarandës, ku Kumaraku, nën kërcënimin e thikës, i ka marrë një shumë prej 60 mijë lekësh një shitëseje 26-vjeçare në një dyqan.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se autori ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me viktimën, e cila ka pësuar edhe dëmtime fizike.
Policia vijon punën për kapjen e autorit, ndërsa ndaj tij janë ngritur akuza të rënda për veprime të dhunshme dhe kërcënim me armë të ftohtë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin J. K., 48 vjeç, pasi ditën e djeshme, në një dyqan në lagjen nr. 2, Sarandë, dyshohet se, nën kërcënimin e një mjeti prerës (thike), ka vjedhur me dhunë një shumë prej 60.000 lekësh nga shitësja e dyqanit, 26 vjeçe, e cila si pasojë ka pësuar dëmtime fizike. Gjithashtu, dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj saj. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar”, informoi policia.