
Është rritur për trefish numri i të prekurve nga gripi në Maqedoni. Mbi 800 raste janë regjistruar për shtatë ditë, për dallim nga java e kaluar ku ishin regjistruar 270 raste. Në këtë sezonë janë paraqitur mbi 2000 raste dhe thuajse gjysma e tyre janë në Tetovë dhe Kumanovë. Më të prekur janë fëmijët e vegjël dhe nxënësit e shkollave. Qendrat për shëndet publik tanimë janë informuar për rritjen e mungesave nëpër çerdhe dhe nëpër shkolla fillore. Në klinikën për sëmundje infektive gjatë ditës realizohen nga 120 kontrolle, ndërkaq situata është më alarmante në spitalin e fëmijëve në Kozle.
Nga ky institucion thonë se tanimë e kanë tejkaluar kapacitetin dhe në të njëjtin mund të pranohen vetëm rastet e rënda. Kapaciteti i spitalit të fëmijëve në Kozle është për 110 fëmijë, ndërkaq tanimë janë 138 deri në 140 fëmijë me nënat e tyre. Nga ky institucion informojnë se gjatë ditës ka rreth 200 kontrolle ditore, ndërkaq gjendja më e rëndë është të dielën, kur nuk punojnë mjekët amë. Ata u bënë thirrje prindërve që fillimisht të shkojnë tek mjekët amë dhe më pas të vijnë tek spitali i fëmijëve në Kozle.
Nga ana tjetër mjekët pediatër thonë se ndotja e ajrit në mënyrë shtesë e rëndon gjendjen dhe ndikon në rritjen e numrit të pacientëve me komplikime nga viruset. E ndërsa epidemiologët thonë se gripi ka marrë hov dhe kulmin e presin në janar dhe shkurt. Sipas tyre mënyra më e mirë për mbrojtje është vaksinimi, më tepër higjienë personale si dhe largim nga personat tanimë të prekur. Ata porosisin edhe ajrosje më të shpeshtë të hapësirave nëpër shkolla dhe çerdhe.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
AJNUR 1 _27.12.2016 by tvshenjaofficial