Tre persona janë arrestuar pas një përleshjeje në stacionin e metrosë në Teheran që ndodhi për shkak të ligjit për veshjen e obligueshme të hixhabit në Iran. Kjo ngjarje është një sinjal për mospajtimet e thella në mesin e iranianëve lidhur me këtë rregull.
Policia në stacionin e metrosë raportoi se incidenti ka ndodhur më 5 nëntor kur një grua, e ngarkuar për të këshilluar qytetarët për rregullat e hixhabit, dyshohet se u sulmua pasi bisedoi me një pasagjer lidhur me vendosjen e shamisë së kokës.
Shefi i policisë, Abbas Karami Rad, konfirmoi se tre personat që dyshohet se janë përfshirë në incident janë arrestuar dhe janë transferuar në stacionin policor Shahre Rej, në veri të Teheranit.
Mospajtimi me këtë rregull u shndërrua në një zemërim në mbarë vendin pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në Teheran vitin e kaluar, pasi ajo vdiq në paraburgim për shkak të shkeljes së rregullit për hixhabin.
Vdekja e saj nxiti protestat “Grua, jetë, liri” në mbarë vendin. Po ashtu, përveç protestave, ka pasur edhe fushata kundër ligjit, edhe pse shumica e iniciatorëve janë arrestuar apo janë detyruar të largohen nga shteti për shkak të sigurisë së tyre.
Zemërimi ndaj autoriteteve është i lartë pasi 17-vjeçarja Armita Garavand vdiq muajin e kaluar pasi u konfrontua nga “policia e moralit” në po të njëjtin sistem të metrosë në Teheran.
Grupet për të drejtat e njeriut dhe gazetarët kanë thënë se Garavand dhe dy mikesha të saj u konfrontuan nga policia për shkak të mosveshjes së hixhabit teksa ato po tentonin të hynin në stacionin e metrosë në Teheran.
Një prej mikeshave të saj tha se zyrtarët e sulmuan fizikisht Garavandën, e cila më pas humbi vetëdijen dhe u nxor pa vetëdije nga metroja. Zyrtarët thanë se Garavanda pësoi rënie të papritur të presionit të gjakut, u alivanos dhe u rrëzua në tokë dhe goditi kokën.