MINISTRI RAMA: QËLLIMI ËSHTË TË PËRMIRËSOJMË JETËN E QYTETARËVE TË DY SHTETEVE
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski paralajmëroi sot se, kah mesi i muajit mars do të shpallet thirrje e tretë në vlerë prej 3 milionë euro, për projekte për bashkëpunim ndërkufitare me Kosovën. Milevski, para mbledhjes me ministrin e Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Rama, u bëri thirrje të gjitha komunave, organizatave joqeveritare, gjitha institucioneve që kanë mundësi të aplikojnë t’i përgatisin projektet e tyre në fushën e mbrojtjes së ambientit jetësor, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të turizmit përmes rajonit ndërkufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
GORAN MILEVSKI, MINISTËR I VETËQEVERISJES LOKALE
“Jam i kënaqur që falë instrumentit IPA të ministrisë sonë është rekonstruar edhe vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiq. Ai është një projekt strategjik që është bërë me programin IPA. Kuptohet, do të bisedojmë edhe për atë që vijon me programin IPA 3 edhe pse nuk është direkt ministria kompetente për zhvillimin ndërkombëtar, i prek pikat e zhvillimit rajonal”.
Ndërkohë, ministri Rama tha se, do t’i shqyrtojnë mundësitë për fillimin e disa projekteve të përbashkëta ndërkufitare, si dhe do të shqyrtojnë mundësitë për zbatimin e projekteve nga Bashkimi Evropian me bashkëpunim të ndërsjellë të dy vendeve.
FIKRIM RAMA, MINISTËR I ZHVILLIMIT RAJONAL TË KOSOVËS
“Këtu jemi që të shikojmë mundësitë, të mësojmë prej praktikave të Bashkimit Evropian dhe të kemi konkret disa projekte për t’i implementuar dy shtetet. Qëllimi edhe i ministrisë sonë edhe i ministrisë së Maqedonisë së Veriut është të përmirësojmë jetën e qytetarëve të dy shteteve.
Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Kosovës në shtator të vitit të kaluar mbajtën seancë të përbashkët në Shkup, në të cilën nënshkruan 11 marrëveshje bashkëpunimi nga fusha të ndryshme. /KlanMacedonia/



