Qeveria distancohet nga problemet mes Qytetit të Shkupit dhe transportuesve privatë. Nga ekzekutivi thonë se kompetencat për transportin publik bien të gjitha mbi Qytetin e Shkupit. Me këtë qëndrim ekzekutivi lë të kuptohet se kjo nuk do të jetë një nga situata e ngjashme me ato në të kaluarën, kur nga ” Ilindenska” ndanin qindra mijëra euro për shlyerjen e borxheve të komunave.
“Është pushteti vendor ai që duhet të punojë për qytetarët. Sipas Ligjit për Qytetin e Shkupit, rregullimi dhe organizimi i transportit publik urban dhe periferik të udhëtarëve është në kompetencë të plotë dhe të vetme të Qytetit të Shkupit. Nga aty, të gjitha kërkesat nga transportuesit duhet t’i drejtohen para së gjithash autoriteteve të qytetit në Shkup, të cilët nga ana e tyre duhet të ofrojnë menjëherë dhe me përgjegjësi masa për tejkalimin e situatës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Por në horizont nuk shihet ndonjë marrëveshje e mundshme mes Qytetit të Shkupit dhe transportuesve privatë. Danella Arsovska, në intervistë për televizionin Telma tha se nuk negociohet me njerëz që shantazhojnë dhe fyejnë dhe që e bëjnë këtë, siç tha, sepse e vërteta nuk është në anën e tyre.