Pensionistët mund të kenë edhe një rritje të të ardhurave deri në fund të vitit, por jo të pensioneve. Dje rreth 97 mijë pensionistë, të cilët kanë marr 12.500 denarë në muaj, që është pragu më i ulët në vend, rritja iu bë 662 denarë dhe pensioni i ri do të jetë 13.162 denarë, shkruan Alsat.
Gjithë pensionistët morën rritje 5,3%. Nga Ministria e punës dhe politikës sociale thonë se rritja që u bëhet dy herë në vit, afërsisht do të plotësojë shumën që kërkojnë pensionistët përmes protestave. Jovanka Trançevska, tha se grupi punës, gjatë javës do të dorëzoj në Qeveri formën e re të ndihmesave që mund tu bëhen gjatë këtij dimri.
“Grupi i punës po angazhohet në masat që do të përmirësojnë standardin jetësor të pensionistëve, por pavarësisht kësaj rritje të shtatorit. Presë që këtë javë të dorëzohet raporti i këtij grupi të punës në Qeveri për të vendosur cilat masa do të aprovohen në pakon e re të masave anti-krizë”, tha – Jovanka Trançevska, Ministre e punës dhe politikës sociale.
Përfituesit e pensioneve më të ulët në Maqedoni nuk do të arrijnë rritjen as 700 denarë. Ky entuziazëm u vërejt që në mëngjes ku të gjitha filialet e bankave dhe kudo që kishte bankomat ishin përplot me njerëz.
Sa i përket pakos së 9-të të masave anti-krizë, për të cilat do të rialokohen 4,5 miliard denarë, janë të përfshirë edhe kategoria e pensionistëve për ndihmë njëherësh. Akoma nuk dihen detajet, se në çfarë vlere do të përfitojnë pensionistët, por lehtësime pritet të ketë edhe në faturat e energjisë elektrike.
Por, Trençevska tha se nuk bëhet fjalë për rritje lineare të pensioneve, siç ata kërkojnë 3,500 denarë.
“Do të vazhdojmë edhe më tej të diskutojmë me pensionistët, por jo për rritje lineare. Ne si Qeveri dhe Ministri patjetër duhet të mbajmë përgjegjësi për stabilitetin e sistemit pensional. Çdo rritje joreale e pensioneve dhe çdo shpenzim joracional nga Fondi i sigurimit Pensional-invalidor do ti sjell në pasiguri pagesat e pensioneve për të gjithë 336 mijë pensionistë sa kemi aktualisht”, u shpreh Jovanka Trançevska, Ministre e punës dhe politikës sociale.
Sipas Ministrisë së punës dhe politikës sociale rritja prej 5.3% për pensionet e shtatorit është bërë në harmonizim me metodologjinë e re, sipas së cilës prej një viti e gjysmë pensionistët kanë përfituar rritje totale prej 24% ose rreth 3,200 denarë.
Ata thonë se pensionistët janë kategori ekonomike dhe marrin shumën për aq vjet sa kanë kontribuar në fond me nivel page.
Rreth 19% e popullsisë janë pensionistë, apo çdo i pesti person në vend është në moshën e shtyrë që pranon pension personal ose familjarë. Nga viti 2017, kur deficiti në Fondin Pensional ishte 47%, sot pushteti krekoset se është ulur në 33%, por kjo nënkupton se akoma 1/3 e parave mungojnë në fond.