Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka paralajmëruar qytetarët për mesazhe të rreme që po përdoren për mashtrime online.
Sipas MPB-së, qytetarëve u dërgohen SMS, email-e dhe mesazhe në rrjetet sociale, të cilat pretendohet se janë njoftime nga sistemi “Safe City” për një shkelje në trafik. Në mesazh gjendet një link i rremë, përmes të cilit kërkohet pagesa e një gjobe.
MPB u bën thirrje qytetarëve të mos hapin linqe të dyshimta dhe të mos japin të dhëna personale apo të dhëna të kartelave bankare.
Qytetarët këshillohen gjithashtu të kontrollojnë dërguesin e mesazhit. Njoftimet zyrtare për shkeljet në trafik duhet të vijnë nga “MVR-SC” dhe duhet të përmbajnë targën e automjetit, si dhe linkun zyrtar që fillon me safecountry.mvr.gov.mk.
MPB rekomandon që mesazhet e dyshimta të raportohen te institucionet kompetente ose te banka.
Sektori i Krimit Kibernetik në MPB vazhdon hetimet për identifikimin dhe sanksionimin e personave përgjegjës për këto mashtrime.



