Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Fondin Shëndetësor, duhet të kryej kontrolle më serioze në çdo spital shtetëror e private, thotë Sashko Kedev. Kardiologu i cili i pari foli për ndërhyrjet e panevojshme kardiokirugjike tha se operacionet në zemër janë kryer vetëm për përfitim financiar. Kedev kërkon formimin e komisioneve të pavarura dhe profesionale në çdo institucion shëndetësor, të cilat do të monitorojnë nga afër mënyrën e punës dhe trajtimin e pacientëve.
“Personalisht mendoj se Fondi duhet shumë më seriozisht të kontrollojë ku paguan dhe sa paguan, pasi e dini se ka edhe kompani private të sigurimit dhe jam i sigurt se asnjë prej tyre në shëndetësi pa dallim a është shtetërore apo ndërkombëtare nuk do tua mbulojë asnjë ndërhyrje nëse më parë nuk kontrollohet se a është i justifikuar kjo ndërhyrje apo jo…Çdo kompani e sigurimit, këtu duhet të përfshihet edhe Fondi Shëndetësor, patjetër duhet të ketë komision profesional”, deklaroi Sashko Kedev, kardiolog.
Kedev në intervistën për emisionin “Gjurmët” në Alsat, gjithashtu theksoi se edhe përkundër sigurimit shëndetësor pacientët vazhdojnë të mbulojnë një pjesë të madhe të shpenzimeve nga xhepi i tyre.
“Në sistemin tonë shëndetësor i cili është social kemi një përqindje të madhe të shpenzimeve nga xhepat e pacientëve. Pacienti që gjatë gjithë jetën paguan sigurim dhe më pas pa dallim se gjatë tërë jetës ka paguar, kur i nevojitet konsultim dhe intervenim mjekësor paguan nga xhepi i tij, këtë duhet sistemi ta reduktojë ose zvogëlojë atë problem dhe të mos i kufizojmë pacientët, ato duhet të vendosin se ku do të konsultohen”, tha Sashko Kedev, kardiolog.
Pasi Kedev foli hapur për keqpërdorimet, Ministria e Shëndetësisë formoi Komision për zbardhjen e ndërhyrjeve kardiokirurgjike, me çrast u konstatua se 10 intervenime në zemër në vend janë kryer pa nevojë vetëm për përfitim financiar. /Alsat.mk


