Të paktën dhjetë persona janë plagosur dhe katër të tjerë rezultojnë të zhdukur, pas shembjes së pllakës së një ndërtese pesëkatëshe. Godina ishte në ndërtim e sipër në Calle Hileras, në qendër të kryeqytetit të Spanjës. Ekipet e zjarrfikësve dhe ambulancës po punojnë në vendngjarje, për të siguruar zonën.
Sipas delegatit të qeverisë në Madrid, Francisco Martín, një numër punëtorësh janë trajtuar për lëndimet e tyre. Njëri prej tyre është dërguar në spital me këmbë të thyer, ndërsa dy të tjerë janë trajtuar në vendngjarje dhe thuhet se janë plagosur lehtë. Mediat e huaja raportuan se të paktën katër persona janë nën rrënoja, ndërkohë që po punohet për shpëtimin e tyre.
“Punëtorëve u mungojnë disa nga kolegët e tyre. Ata aktualisht po punojnë për të kontrolluar nëse ata ishin brenda apo jashtë ndërtesës”, thanë autoritetet vendase.
Sipas raportimeve fillestare, ata po punonin për rinovimin e ndërtesës, e cila do të shëndërrohej në hotel.
Policia bashkiake po e mban zonën të rrethuar, nërsa po punon për evakuimin e personave të tjerë të cilët ndodhen pranë zonës ku u shemb ndërtesa. Policia po kufizon aksesin në zonë për të lehtësuar kërkimin për personat e zhdukur, për të cilët është vendosur një ekip qensh i Policisë Kombëtare.
Gjithashtu në zonë janë presidentja e Komunitetit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, delegati i qeverisë në Madrid, Francisco Madrid, nënkryetari i bashkisë së Madridit, Inmaculada Sanz dhe delegati i planifikimit urban të këshillit të qytetit të Madridit, Borja Carabante.