Në një zjarr që shpërtheu dje në një restorant në Kinën verilindore, humbën jetën 22 persona, raportoi agjencia e lajmeve Xinhua, pa dhënë detaje për shkakun e zjarrit.
Ky është rasti më i fundit në një varg incidentesh vdekjeprurëse në vend gjatë viteve të fundit, raportoi Reuters.
Presidenti Xi Jinping e ka quajtur këtë ngjarje një “mësim thellësisht tronditës”, duke bërë thirrje për ndihmë të menjëhershme për të plagosurit dhe hetime të plota për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësit.
Zjarri ka shpërthyer në një restorant që ndodhej në një zonë banimi të qytetit Liaoyang në provincën Liaoning, sipas televizionit shtetëror CCTV. Tre persona janë plagosur.
Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë flakë që përpijnë vitrinën e lokalit pranë dhjetëra automjeteve të parkuara, ndërsa tymi shihet duke shpërthyer në ajër dhe ekipet mjekësore duke ndihmuar të plagosurit në barrelë.
Hao Peng, sekretar i komitetit provincial të Partisë Komuniste të Liaoning-ut, tha se në vendngjarje janë dërguar 22 automjete zjarrfikëse dhe 85 zjarrfikës.