Ministri i MPB-së, Pançe Toshkovski, informoi se MPB tashmë është në fazën e zbatimit të “Qytetit të sigurt”. Në fazën e parë do të jetë në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, ndërsa në fazën e dytë sistemi do të zbatohet në mbarë Maqedoninë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Nga Shtipi, Toshkovski sqaroi se qyteti ka marrë 200 kamera që do të kenë një nivel tjetër të përdorshmërisë dhe nuk do të jenë të lidhura me “Qytetin e sigurt”.
I pyetur për disa automjete të djegura në Maqedoninë lindore, përfshirë atë të ish-kryetarit të SPB të Shtipit, Toshkovski theksoi se një numër i madh i atyre që kanë kryer këtë lloj krimi janë zbuluar dhe disa raste janë zbardhur.
“Rritja e kapaciteteve të Ministrisë së Brendshme në fushën e videopërgjimit dhe mbështetja e komunave me investimet e tyre në videopërgjime do të rrisë nivelin e sigurisë. Gjithashtu jam i sigurt se në të ardhmen, duke rritur kapacitetet tona, do t’u përgjigjemi më adekuat sfidave të këtij lloji. Ne punojmë shumë. Një pjesë e mirë e atyre që ndërmarrin këtë lloj krimi, rastet e tyre zgjidhen duke përdorur metoda të tjera dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen. Nëse do të mund të zbardhënim 8 vrasje në një operacion të pazbardhur prej 30 vitesh, besoj se do t’i përgjigjenim siç duhet kriminelëve të tillë”, tha Ministri.