Hetimi i deritanishëm për arratisjen e të akuzuarës Iva Mihailova ka treguar se ajo nuk është regjistruar as gjatë hyrjes dhe as gjatë daljes nga vendi në pikat kufitare të Maqedonisë, as në kamerat e sistemeve të sigurisë në vend gjatë periudhës kritike, tha ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Toshkovski për “Sitel” thotë se asnjë nga kamerat dhe sistemet e sigurisë në dispozicion të institucioneve maqedonase nuk e regjistroi lëvizjen e saj në intervalin kritik kohor, nga mbrëmja kur ajo u pa në një bar në Koçani deri në momentin kur ajo u shfaq në mediat në Bullgari.
“Pjesa e hetimit deri më tani ka konfirmuar se jo vetëm që ajo nuk është në të dhënat e hyrjeve dhe daljeve të vendit gjatë vitit 2026, por policia kufitare bullgare gjithashtu na konfirmoi fillimisht se nuk ka të dhëna për hyrjen ose daljen e saj gjatë këtij viti. Ajo nuk është zbuluar në asnjë nga kamerat, as në asnjë nga sistemet që kemi”, tha Toshkovski.
Duke iu referuar spekulimeve dhe informacioneve që po përhapen në publik në lidhje me rolin e supozuar të oficerëve të policisë në arratisjen e Mihailovës, Toshkovski tha se informacionet deri më tani nuk tregojnë një gjë të tillë.
“Ky person, së bashku me personin tjetër, nuk është regjistruar në asnjë nga kamerat gjatë atij intervali kritik kohor. E lëre më që oficerët e policisë ta përshëndesin, ta lavdërojnë dhe të flasin se sa është e rëndësishme për botën, siç po përpiqen të imponojnë me propagandën që, për fat të keq, po përhapet”, tha Ministri.



