22 Dhjetor
Gjykata Penale ka vendosur që për rastin e arrestimit të Lubo Boshkovskit, të gjykohen ish shefi i njësitit Alfa dhe pesë pjesëtar të saj, pro jo edhe Sasho Mijallkov. Me këtë gjykata ka pranuar pjesërisht akuzën e Prokurorisë Speciale për lëndën “Tortura”. Vendimi që të mos gjykohet i akuzuari i parë, Sasho Mijallkov, sipas informatave të televizionit Alsat është i papranueshëm nga PSP-ja e cila do të ankimoj vendimin në Gjykatën e Apelit. Ky është rasti i dytë që Gjykata Penale të vendos vetëm pjesërisht për akuzat e speciales. Një epilog të ngjashëm kishte edhe rasti “Titanik 2” kur gjykata vendosi të gjykohen anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, por refuzoi akuzën edhe ndaj gjykatësve administrativ të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Prokuroria Speciale ka ankimuar edhe këtë vendim por ende nuk ka përgjigje nga Gjykata e Apelit.

