Mbrojtja e të akuzuarve në lëndën e PSP-së “Titanik” në seancën e sotme ka kërkuar përjashtimin e prokurores speciale publike Katica Janeva.
Prokurorja PSP-së Lile Stefanova e vlerësoi kërkesën e avokatëve si tentim i ri për shtyrjen e procedurës. Vuri në dukje se kërkojnë përjashtim, ndërsa nuk e dinë se kush duhet ta zbatojë.
Gjykatësi Osman Shabani paraprakisht tha se nga Gjykata Supreme është dorëzuar vendim se refuzohet si e pabazë kërkesa paraprake e mbrojtjes për përjashtimin edhe të këshillit gjykues në lëndën “Titanik”.
Në seancën e sotme marrin pjesë të gjithë të akuzuarit në rastin, ndërsa aktakuzën e përfaqësojnë prokurorët e PSP-së Lile Stefanova dhe Lubomir Lape.
Në “Titanik” janë të akuzuar ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-funksionarët Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska Boshkovski, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stano Kournovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marijan Nakeski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.
Ata dyshohen nga PPS për bashkëpunim kriminel, shkeljen e së drejtës së zgjedhjes, shkeljen e lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrimin e materialit zgjedhor dhe për keqpërdorim të mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore në vitin 2012.