Në një intervistë ekskluzive për Lajm.Tv dhe Gazetën Lajm, ambasadori francez në Shkup, Kristian Timonie ka komentuar në mënyrë mjaft direkte zhvillimet e fundit në Maqedoni.
Mes tjerash ai përgjigjet edhe në pyetjen për “bombat” që po i publikon Sheqerim Ahmedi i njohur si El Cheka. Në këtë intervistë, ambasadori francez flet edhe lidhur me bindjen e krijuar në opinion se Franca po e bllokon fillimin e negociatave të Maqedonisë me Bashkimin Evropian, lidhur me vlerësimin e dhënë për Ramiz Merkon, si dhe për shumë tema tjera aktuale në vend dhe rajon.
Zotëri ambasador, te një pjesë e qytetarëve në Maqedoni është krijuar bindja se Franca është bë pengesë për fillim të negociatave për anëtarësim ne BE. Këtë bindje herë pas here e shprehin edhe disa politikanë në Maqedoni në takime dhe biseda joformale. Si do ta kishit komentuar ju këtë?
Mirdita. Pyetja është shumë me vend, është e shkëlqyer, sepse nuk mund të jetojmë vetëm në dukje, aparencë. Nuk e kuptoj se pse është krijuar kjo bindje, sepse Franca ka një qëndrim të qartë, të shprehur nga kryetari Makron, e ai është se vendi i Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian. Kuptohet që ka një sërë kushtesh, që duhet të përmbushen, e njëri ndër to është që ky shtet të jetë i gatshëm për hapjen e negociatave, e kjo nënkupton një bazë minimale, sa i përket atyre kushteve që janë të njohura, pra kriteret e Kopenhagës, e që mëtojnë të theksojnë veçanërisht shtetin e së drejtës, respektivisht sundimin e ligjit, pra të qenit gati përtej aspektit tregtar dhe teknik, të jemi të gatshëm të ndajmë tërësisht, apo mjaftueshëm praktikat e njëjta ligjore, të rrënjosura, që të kihet një respekt nga ana e institucioneve ndaj kritereve të sundimit të ligjit dhe të së drejtës, që do të mundësojnë në mënyrë të dobishme, fillimin e negociatave, sepse kemi shembullin këtu të Turqisë, e cila ka filluar negociatat para disa dhjetëra viteve, e nuk është në gjendje ti përmbushë ato. Andaj ngulmimi i Francës është, që baza mbi të cilat do të mundësohet hapja e bisedimeve, të jetë një bazë solide dhe e bazuar në realitete, e jo në dukje formale, sepse nuk bëhet fjalë që ne të shfaqemi si pengesë. Problemi është që pengesat ekzistojnë dhe ato janë këtu, sepse kanë të bëjnë me mungesën e shtetit të së drejtës. Në këtë pikë ne presim që të prononcohemi në muajin tetor. Një takim u mbajt në qershorin që shkoi dhe në bazë të raportit të përpiluar nga Komisioni, do të vendosim, së bashku me vendet e tjera anëtare, nëse ky kusht parësor i qëndrueshmërisë së shtetit të së drejtës, është i përmbushur, e që do të na mundësojë në fakt, të hapim negociatat.
Kaloi gati një muaj që kur vendimi për caktimin e datës për fillim të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE u prolongua për në tetor. Cili është vlerësimi juaj, a po i bën vendi ndërkohë hapat e duhur për të merituar datën e negociatave dhe a mund të jemi optimist që në janar të vitit të ardhshëm Maqedonia fillon negociatat për anëtarësim?
Gjëja e parë është që ne ishim të gatshëm të hapim në qershor negociatat, ashtu siç ishte paraparë. Është një pengesë që u vë nga procesi i brendshëm në Parlamentin gjerman (Bundestagun gjerman), e i cili na çoi drejt prolongimit për në muajin tetor të këtij diskutimi. Kësisoj, kjo nuk përmban vetëm disavantazhe apo dëme, sepse ashtu siç edhe është theksuar paraprakisht, besoj nga ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian, na ndihmon të gjykojmë se vallë gota është gjysmë e mbushur ose gjysmë e zbrazët (boshe) në listën e agjendës së reformave. Andaj, ne kemi shpresuar dhe shpresojmë se koha që na ndan deri në muajin tetor, do të mund të shfrytëzohet për të mbushur pak gotën boshe, ngase ka disa pika thelbësore të kësaj agjende që ndërlidhen me shtetin e së drejtës, e që mbeten ende të përmbushen. Këtu posaçërisht ishte ligji mbi Prokurorinë Speciale, i cili është një moment i rëndësishëm, ekziston poashtu edhe reformimi i shërbimeve të inteligjencës dhe sigurisë, mandej lufta kundër korrupsionit dhe efektiviteti i saj, si dhe tërë këto gjëra, të cilat me gjithë dispozitat që janë ndërmarrë, mbeten të konsolidohen edhe më tej. Andaj afati deri në muajin tetor, do të na mundësojë të përmirësojmë raportin, i cili do të mund të përpilohet mbi bazën e reformave të bëra, kështu që shpresojmë edhe më tej, që do të ndërmerren hapa të mëtutjeshëm, të cilat do t`ju mundësojnë të paraqitni argumente shtesë në favor të hapjes së negociatave. Kjo do të vlerësohet nga të gjitha shtetet, ndërkaq qëndrimi francez nuk është ndaluar këtu krejtësisht, sepse edhe nga ana e juaj jeni duke punuar në këtë drejtim, jeni duke i bërë gjërat, ka edhe një sërë ligjesh që qëndrojnë edhe më tej para Kuvendit, ekzistojnë edhe diskutime në mes të partive politike, të cilat vazhdojnë dhe të cilat shpresoj se do të mundësojnë, shënimin e rezultateve të mira deri në muajin tetor.
Në një paraqitje tuajën, thatë se nuk duhet të jemi shumë të preokupuar me datë, por duhet të luftojmë korrupsionin? Sa u pranua ky mesazh i juaji?
Mendoj që është një porosi që është në interes të publikut, sepse një datë është thjesht një datë, natyrisht ne e dimë, që kjo përkon me një shpresë për shoqërinë, duhet që kjo shpresë të ekzistojë dhe duhet të mbahet ajo shpresë, jemi të vetëdijshëm për këtë. Ajo që është me rëndësi është se nuk duhet hedhur fishekzjarrë dhe ngazëllyer për hapjen e datës së negociatave, por të dihet se cila është gjendja reale në të cilin gjendet sistemi i drejtësisë dhe ku gjendet shoqëria. Ajo për të cilën duhet hedhur fishekzjarrë është progresi i mirëfilltë dhe jo thjesht marrja e një date.
Në këtë paraqitje përmendët edhe emra konkret si shembuj negativ, si për shembull kryetarin e komunës së Strugës, Ramiz Merko. Pse pikërisht Merkon dhe a ka pasur ndonjë reagim prej tij për këtë çështje?
Ajo që është me rëndësi në tërë këtë, kishte të bënte më tepër me Ohrin. Është një thesar i njerëzimit, i Maqedonisë së Veriut, andaj nevojitet që të gjitha forcat të bashkohen për të ruajtur këtë thesar, sepse ky thesar ka një vlerë kulturore, natyrore, dhe është një e mirë e përbashkët evropiane, botërore. Shpresoj se këshillat që janë dhënë në Baku, do të mund të zbatohen nga të gjithë, e posaçërisht të rrënohen ndërtimet e paligjshme. Ne mbahemi fort për atë që mëton UNESCO-ja, ngase siç e dini UNESCO-ja ndodhet në Paris, Drejtoria e Përgjithshme është franceze, andaj e kemi për zemër të shohim që rregullat dhe dispozitat e UNESCO-s të ndiqen dhe zbatohen si duhet. Ky është interesi i përgjithshëm, ky është madje edhe interesi i juaj, andaj llogaris në urtësinë e të zgjedhurve lokalë, për të arritur këto rezultate. E nëse këto të zgjedhurit lokal gjenden në situata të vështira konkrete, sepse nuk është i lehtë ballafaqimi me peshën e së kaluarës, e cila mbase edhe ka pasur një kohëzgjatje, duhet që shteti të merr përsipër përgjegjësitë e veta, dhe ajo që është e nevojshme, të ndërmerret mbrojtja kundër interesave, të cilat mund të kualifikohen lehtë si interesa të mafiozëve.
Pas tre viteve kanë filluar sërish të publikohen biseda të përgjuara në mënyrë ilegale, ose të ashtuquajtura “bomba”. A keni pasur rastin të dëgjoni ndonjërën prej tyre dhe a mendoni se ato duhet të trajtohen njësoj nga Prokuroria Speciale si bombat e publikuara para tre viteve nga kryeministri aktual, Zoran Zaev?
Tani këto gjëra janë duke ndodhur për momentin, nuk mund të gjykoj se a janë autentike, e as të shpjegoj kontekstin e këtyre të ashtuquajturave “bomba”. Nga bombat mund të kuptohet se ekziston një kontekst i rrezikut të keqpërdorimit të sistemit juridik, në favor të interesave private, i cili është vazhdim i një situate për keqardhje, të cilën e kemi hasur edhe në të kaluarën, andaj mendoj se është në interes tonin ta ndjekim situatën, ashtu siç ajo është në fakt në terren, e jo domosdoshmërisht ashtu siç theksohet në raportet, si dhe të shohim se cilat janë përpjekjet konkrete, të ndërmarra nga autoritetet për tu ballafaquar me këtë situatë. Është e sigurt se shtrojmë një sërë pyetjesh për këto dokumente dhe materiale të zbuluara, duke i parë njëkohësisht dallimet në mes deklaratave virtuale dhe realitetit në terren. Mendoj se duhet të jemi mjaft të kujdesshëm në zhgënjimin që mund ta kenë qytetarët këtu, dhe të cilin zhgënjim ne e kuptojmë, por duhet që edhe autoritetet të kuptojnë zhgënjimin tonë, nga institucionet prej të cilave ne kemi pritur shumë. Kjo do të duhet të shërbente si një prelud (hyrje) për të menduar në lidhje me atë se si duhet të jetë një sistem efikas, për parandalimin e korrupsionit, për një sistem efikas të pavarësisë së gjyqësorit, një sistem efikas të kontrollit, e posaçërisht shmangja e keqpërdorimit, i cili nuk është thjesht një keqpërdorim i pandershëm. Ashtu siç thatë edhe ju, shembulli i parë të cilin e përmendët është i dhimbshëm, që mund të konstatojmë se bëhet fjalë për një rast tjetër, andaj duhet të shohim kësaj radhe se si kjo çështje do të zgjidhet.
Kur do ta ratifikojë parlamenti Francez protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO? Pse është vonesa e deritanishme, kur dihet se shumica e vendeve anëtare e kanë ratifikuar këtë protokoll?
Procesi është në vijim e sipër, do të duhet të përmbyllet deri në fund të vitit, nuk ka kundërshtime nga asnjë parti franceze, pra bëhet fjalë thjesht për një formalitet, aq më tepër që në cilësi të kontribuuesit të tretë në NATO, e çmojmë këtë kontribut të ri të Maqedonisë së Veriut, është një mundësi e vërtetë shtesë në drejtim të stabilizimit të rajonit, kështu që interesi ynë është që ratifikimi të bëhet në afatet e duhura kohore, e kuptohet para fundit të vitit.
A mund të paraqiten probleme të reja lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, duke pasur parasysh deklaratën e liderit të opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski i cili tha se nëse partia e tij fiton 80 deputetë, do ta kthejë emrin Republika e Maqedonisë. Si e vlerësoni këtë deklaratë, a ka gjasa të dështojë ose të shfuqizohet Marrëveshja e Prespës?
Për ne, qëndrimi ynë është i qartë, Marrëveshja e Prespës është e mirë për Maqedoninë e Veriut, e mirë për Evropën dhe e mirë për rajonin. Andaj shpresoj, që të gjithë qoftë në Greqi apo në Maqedoninë e Veriut, do të priren nga urtësia e përgatitjes së të korrurave (vjeljes) së rezultateve të kësaj marrëveshje, se sa të kthehen në gjatësinë dimërore të këtij rajoni, i cili e ka bllokuar për vite të tëra mundësinë për Maqedoninë e Veriut, që të anëtarësohet në NATO, si dhe në BE. Jam i sigurt që kjo ftesë për urtësi do të jetë e pranuar dhe e dëgjuar si duhet.
Si i shikon Brukseli arrestimet e fundit në Maqedoni, si luftë pa kompromis kundër korrupsionit, apo si dëshmi që korrupsioni ka lëshuar rrënje të thella në të gjitha poret në Maqedoni? A mendoni se rrezikohet dhe komprometohet puna e Psp-së pas këtyre ngjarjeve?
Nuk mund të ju përgjigjem në vend të Komisionit, pra në raport me atë që mëtoni se si shikon Brukseli. Tashmë ju kam dhënë përgjigjen në lidhje me punën e Prokurorit Special. Konsiderojmë që një punë tejet e rëndësishme është bërë para këtyre ngjarjeve, që janë me të vërtetë për të ardhur keq, e të cilat ju i potencuat. Janë një tërësi e kompetencave që janë krijuar, është një strukturë e tërë që është krijuar. Është e qartë që ky kapital nuk duhet të gurëzohet, ndërsa mandati i Prokurorisë Speciale, i tillë siç është, përfundon më 15 shtator, kështu që do të duhet të mendojmë për një institucion, i cili merr përsipër zotimet, sepse ajo që është e sigurt është se korrupsioni është një fakt strukturor këtu, që nuk mjafton thjesht vetëm të kthejmë kokën dhe të themi se është bërë përparim i duhur në kuptimin legjislativ, gjë që është mbase edhe e vërtetë, e çmojmë punën e bërë, posaçërisht nga ana e Komisionit, i ngarkuar në luftën kundër korrupsionit, por duhet që të kihen parasysh të gjitha mjetet për të punuar në këtë drejtim, qoftë të mbështetura plotësisht nga qeveria apo nga kuvendi, duhet thjesht që qytetarët t`i përshtaten këtij sistemi të kontrollit. Prandaj, them që është një punë shumë e madhe që është në rrjedhë e sipër, ne e vlerësojmë këtë, por ajo duhet të vazhdojë, dhe të vendoset në binarë dhe në një fund të mbarë. Shpresojmë që diskutimet e mundshme në mes të partive politike, do të mundësojnë sigurimin e 2/3 së votave para muajit tetor, e kjo do të ishte një sihariq i mirë, që do të vlerësohej nga të gjithë në momentin e diskutimeve rreth hapjes së mundshme të bisedimeve.
Presidenti francez Emanuel Makron në prag të vizitës së tij në Beograd, tha se Serbia është partneri numër një francez në rajon. A do të thotë kjo se Franca po ndryshon qasje ndaj vendeve tjera të rajonit?
Kemi një marrëdhënie historike me Serbinë, e cila është një marrëdhënie e fortë, e ndërtuar që nga Lufta e Parë Botërore, e më pas edhe nga Lufta e Dytë Botërore, stërgjyshi im, gjyshi im, kanë luftuar përkrah ushtarëve serbë, dhe ka një huamarrje të ndërsjellë të fuqishme të kësaj miqësie. Mendoj që kjo është e mirë për bashkëpunimin tonë me tërë rajonin, sepse nuk jemi fqinj të afërt, sikurse disa vende të tjera, kemi më pak marrëdhënie ekonomike, por ekziston kjo marrëdhënia historike, e cila është shumë e fuqishme dhe që krijon një interesim në Francë, e që mbështet interesimin për mbarë rajonin. Interesi ynë nuk është ekskluziv, andaj e dimë mirë që Serbia nuk është partneri i vetëm në rajon, e përveç kësaj e dimë, e presidenti Makron edhe e ka thënë, që e ardhmja e secilit vend të rajonit, nuk mund të mendohet ndryshe, përpos në një prosperitet dhe në një paqe rajonale.
Nuk bëhet thjesht fjalë për ripërtëritjen e marrëdhënieve të vjetra, por bëhet fjalë për vënien e kësaj marrëdhënie në shërbim të tërë rajonit, e në veçanti në shërbim të rifillimit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, që për ne është shumë e rëndësishme, e për të cilën ne do ti vëmë në disponim të gjitha përpjekjet tona. Përveç kësaj, duam të kemi një prani në mbarë rajonin, përmes Agjencisë Franceze për Zhvillim, në të cilën kryetari Makron kërkoi që të kihet një qasje globale, e tani ajo është e autorizuar që të funksionojë në tërë rajonin, kështu që shpresojmë se përmes veprimtarive të kësaj agjencie, lidhjet mes shteteve të ndryshme, lidhjet mes bashkësive të ndryshme të rajonit, nëpërmjet projekteve të zhvillimit, në fushën e mjedisit apo arsimit do të intensifikohen. Kësisoj, theksoj që përmes ripërtëritjes së këtij dialogu, të filluar me Beogradin, qëndron ri-angazhimi ynë i tërësishëm, të cilin duam ta vëmë në pah në këtë rajon.