Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se Sektori për parandalim të tregtisë së paligjshme me drogë, armë dhe materie të rrezikshme, në bashkëpunim me njësitin special “Tigrat”, dje dhe sot kanë zhvilluar aksion policor, ku janë arrestuar 28 persona, përcjell TV21. Nga MPB njoftojnë se hetimi në bashkëpunim me Prokurorinë po zhvillohej nga dhjetori i vitit 2023, ndërsa për qëllim kishte shkatërrimin e shitjes në rrugë të kokainës, amfetaminës dhe marihuanës.
“Në aksionin për shtypjen e narkotrafikut, mbrëmë është privuar nga liria V.G.(46), M.B.(22) dhe S.B. (21) tek të cilët u gjet kokainë, D.T. (24) nga Koçani, si dhe S.V. (28) nga Shkupi, të cilëve gjatë kontrollit iu gjetën shuma të mëdha parash, të cilat dyshohet se e kanë origjinën nga shitja e lëndëve narkotike. Krahas kësaj, janë kryer kontrolle në shtatë lokacione në Shkup, ku te Gj.SH. (41) nga Shkupi janë gjetur marihuanë, peshore dhe sende të tjera të lidhura me vepra penale, te A.P. (29) është gjetur një plumb dhe një “çakmak” për bombë, te B.P. (34) u gjetën mbetje kokaine dhe sende të tjera që lidhen me krimin. I është hequr liria edhe A.B.J., për shkak të dyshimit për asgjësim të provave, si dhe M.D.(37) nga Shkupi, të cilit i është gjetur kokainë. Gjatë kontrollit të kryer ndaj F.D.(41) nga Shkupi, është gjetur një sasi e madhe parash, marihuanë, letërnjoftime dhe pasaporta të disa personave, të cilat u ishin marrë personave si garanci për blerjen dhe shitjen e drogave, ndërsa gjatë marrjes së masave për ta privuar nga liria, ai nuk është ndalur, pas çka ka dëmtuar tre vetura zyrtare”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë.
Krahas gjithsej 28 personave të arrestuar, gjatë hetimit janë siguruar edhe më shumë prova materiale për përfshirjen e personave në shitjen e kokainës, amfetaminës dhe marihuanës, ndaj dy personave tashmë janë ngritur kallëzime penale dhe është shqiptuar masa e paraburgimit.
“Është konfiskuar një motor “Honda” si dhe një mjet pasagjerësh “Ford Mondeo” për të cilin është siguruar dëshmi se është përdorur për shitjen e kokainës. SPB-Shkup gjatë ditës së sotme do të paraqesë kallëzim penal kundër 7 personave në Prokurorinë Publike të Shkupit”, thuhet në njoftimin e MPB-së./tv21.tv