Klima rreth Milanit ka ndryshuar. Kjo dallohej menjëherë nga morali i lojtarëve në dhomat e zhveshjes, por dje në mëngjes, jashtë portës së Milanellos, disa tifozë kuqezi dhanë një tjetër sinjal.
Siç raporton “Gazzetta dello Sport”, në pritje të daljes së trajnerit Sergio Conceiçao, ata i kushtuan një thirrje të përzemërt. “Sergio, Sergio, Sergio”, – thërrisnin tifozët sapo makina BMW e trajnerit portugez kaloi me shpejtësi pranë kompleksit sportiv pas stërvitjes.
Një sinjal i qartë i entuziazmit të rinovuar që po shoqëron skuadrën pas fitores në derbi dhe kualifikimit në finalen e Kupës së Italisë ndaj Interit. Conceiçao, shkruan gazeta milaneze, e ka vlerësuar gjestin, edhe pse ka mbetur me këmbë në tokë.
Në përputhje me karakterin e tij, ai shmang çdo lloj euforie. Misioni nuk është përfunduar ende dhe objektivi, pra fitimi i Kupës së Italisë, mbetet për t’u arritur. Për këtë arsye trajneri dëshiron ta mbajë sa më të lartë përqendrimin brenda grupit, duke qenë i vetëdijshëm se vetëm duke ngritur trofeun, sezoni i Milanit do të ketë kuptim.
Në lojë për të nuk është vetëm një tjetër trofe, por edhe mundësia e përmbylljes jo me shije të hidhur e aventurës kuqezi. Aventurë e cila pritet të mbyllet në qershor, pavarësisht kontratës së vlefshme deri në vitin 2026.
Klubi, në fakt, mund të aktivizojë klauzolën e ndarjes mes palëve, duke paguar një dëmshpërblim. Megjithatë, Conceiçao dëshiron të largohet nga Milani si fitues, duke shtuar në “palmaresin” e tij, ku figurojnë 4 Kupa të Portugalisë, një Kupë e Ligës së Portugalisë, 3 Superkupa të Portugalisë, një Superkupë Italiane, edhe Kupën e Italisë.