Arben Taravari, kryetar i Partisë Aleanca për Shqiptarët ka komentuar nga Pogradeci incidentin e ndodhur në Kumanovë gjatë ndeshjes së basketbollit me Rumaninë.
“Ishte një ngjarje skandaloze”, tha ai, ndërsa tha se kryeministri i Maqedonisë së Veriut në mënyrë fyese ndaj shqiptarëve fliste në parlament dhe kjo natyrisht reflektohet tek qytetarët.
“Ishte ngjarje skandaloze, të cilën realisht e kemi komentuar të gjithë politikanët në Maqedoninë e Veriut edhe të disa partive politike shqiptare por edhe disa maqedonase. Dua të falënderoj publikisht për solidarizimin që dha Shqipëria edhe Kosova. Ky është një trend muajt e fundit që rritet nacionalizmi maqedonas dhe kjo është edhe arsyeja që Aleanca për Shqiptarët e lëshoi edhe qeverinë pata tre muajsh dhe tani jemi në opozitë dhe po përgatitemi për zgjedhjet lokale.
Disa ditë para ngjarjes në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, kryeministri në mënyrë fyese ndaj shqiptarëve fliste në parlament dhe kjo natyrisht reflektohet tek qytetarët. Gjithashtu edhe atë që e tha që qëndron edhe në raportin e BE se bota serbe ka ndërhyrë thellë në Maqedoninë e Veriut dhe këto janë pasoja të funksionimit të inkuadrimit së botës serbe në politikat maqedonase. Shqiptarët e Maqedonisë janë të ndarë në dy blloqe diçka që është e shëndetshme. Janë disa parti por të ndara në dy blloqe çka është me e shëndetshme për një shoqëri.”, u shpreh Taravari.