Ditë më parë Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se LDK ka bërë gabim trashanik kur e ka votuar për president Hashim Thaçin nga Partia Demokratike e Kosovës.
E lidhur me këtë, ka reaguar sot Ganimete Musliu nga Partia Demokratike e Kosovës.
Musliu në një postim në Facebook shkruan se gabimi trashanik i LDK-së nuk ka qenë Hashim Thaçi, por heshtja, frika dhe mungesa kronike e guximit politik e kësaj partie.
“Besian Mustafa paska thënë se votimi i Hashim Thaçit për president qenka “gabim trashanik i LDK-së”. Jo. Gabimi trashanik i LDK-së nuk ka qenë Hashim Thaçi. Gabimi trashanik i LDK-së ka qenë heshtja, frika dhe mungesa kronike e guximit politik.
Ka qenë paaftësia për t’u përballur me të vërtetën dhe mungesa e kurajës për t’i drejtuar kritikë të hapur Donika Gërvallës, Faton Pecit dhe Vjosa Osmanit, duke ushqyer iluzione të rreme se këta do t’ia kthenin votat e humbura dhe do t’i riparonin dëmet kolosale që vetë ia shkaktuan LDK-së”, shkruan ajo.
Sipas Musliut, kjo heshtje u bë edhe më e rëndë kur LDK mbylli sytë para skandaleve të shumta që shënuan mandatin e Faton Pecit në qeveri, Donika Gërvallës në diplomaci dhe Vjosa Osmanit në presidencë.
“Nga keqmenaxhimi dhe vendime të kontestuara, te arroganca politike, shkelja e standardeve institucionale dhe dëmtimi i funksionimit demokratik të shtetit. Gjithçka u tolerua në emër të kalkulimeve të ulëta politike. Me këtë sjellje, LDK nuk dështoi vetëm si opozitë, por u bë bashkëfajtore përmes heshtjes.
LDK zgjodhi të përkulej, jo të përballej. Zgjodhi të shpresojë, jo të veprojë. Kështu, u shndërrua në një subjekt frikacak, të paqëndrim dhe të padenjë për barrën historike që pretendon ta mbajë.
Problemi i LDK-së nuk është e kaluara; problemi i saj është mungesa e guximit për ta thënë të vërtetën sot”, tha ajo. /Telegrafi/


