Nga Shtabi i krizës në Tetovë thonë se me tejkalimin e gjendjes së tanishme do të krijohen kushte që gjendja të kthehet në normalitet dhe do të shihen pasojat se cilët kategori janë më shumë të goditur dhe të ndihmohen.
Gjatë muajit prill, në rajonin e Pollogut janë evidentuar 21.109 të papunësuar, apo 1077 më shumë në krahasim më muajin shkurt. Rritja e numrit të personave të papunë në Agjencinë për punësime është pasojë e mbylljes së shumë ndërmarrjeve të mesme dhe uljes së numrit të të punësuarve nëpër kompani të ndryshme. Një fat të këtillë kanë edhe ish 160 punëtorët e fabrikës “Teteks Jarn”, të cilët gati se dy muaj e gjysmë nuk kanë marrë rroga. Këta punëtorë në vend se të marrin rroga, ata kanë marrë vendime për largim nga puna gjatë kohës së pandemisë Covid 19, shkruan gazeta KOHA.
Ata akuzojnë ish udhëheqësinë e fabrikës se janë manipuluar kur kanë nënshkruar marrëveshje. “Prej kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme, na ndryshuan marrëveshjet, në aneks marrëveshjen e kemi nënshkruar për një muaj, kurse pas një prillit pa asnjë arsyetim jemi transferuar si të papunë në Agjencinë për punësime. Duhet që edhe shteti të merret me ne sepse ne nuk kemi marrë dy rroga që dy muaj” thotë Vanço Gjerovski, ish i punësuar në këtë fabrikë.
Problemet, aktualisht punëtorët i kanë me ish drejtuesit e kësaj fabrike, kurse me menaxhmentin e tanishëm janë duke negociuar që t`u paguhen dy rrogat e mbetura. Të gjithë 160 të punësuarit tashmë janë në evidencë si të papunë në Agjencinë për punësime në Tetovë. “Ne kërkojmë që shteti por edhe enti apo kushdo qoftë që të na ofrojnë punë sepse kemi mbetur në rrugë. Jemi të gatshëm që të punojmë çka të në ofrojë shteti sepse kemi mbetur rrugëve”, thotë Gjerovski.
Fatin e këtillë e kanë mbi 1000 punëtorë të rajonit të Pollogut, të cilët kanë humbur vendin e punës gjatë kohës së pandemisë. Nga Agjencia për punësime në Tetovë thonë se janë duke nënshkruar marrëveshje me punëdhënësit për të realizuar masat e qeverisë për subvencionim të rrogave gjatë kohës së krizës. Në ndërkohë, ata janë edhe duke ndërmjetësuar për punësime të reja, por tash për shkak të pandemisë kjo bëhet vetëm në mënyrë online. Por edhe ndërmjetësimi për punësime sipas drejtorit të Agjencisë për punësime në Tetovë, Lupço Apostolovski, është duke shkuar vështirë. “Me kërkesë të punëdhënësve nga sektori privat, qendra për punësime bën kërkime në listën e personave të papunësuar,dhe i udhëzon për bisedime apo punësime kuadrot adekuate. Pastaj është në duart e vetë punëdhënësit dhe punëtorit që të arrijnë marrëveshje. Në këtë kohë kjo është shumë e vështirë sepse kjo bëhet vetëm në mënyrë online, pa praninë fizike të dy palëve, por mendojmë se pas kësaj krize, shumë persona do ta gjejnë veten të punësuar në bazë të ndërmjetësimit tonë”, thotë Lupço Apostolovski, drejtor i Agjencisë për punësime, njësia në Tetovë.
Nga Shtabi i krizës në Tetovë thonë se me tejkalimin e gjendjes së tanishme do të krijohen kushte që gjendja të kthehet në normalitet dhe do të shihen pasojat se cilët kategori janë më shumë të goditur dhe të ndihmohen. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, është shprehur se shteti duhet që pas kësaj gjendje të del në ndihmë familjeve më të rrezikuara. “Të paktën të parashihet që gjatë procesit të rikthimit nëpër vendet e punës, minimum njëri prej bashkëshorteve të rikthejë vendin e punës, që të kemi stabilitet social në kuadër të familjes” pohon kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Ndërkaq, ende nuk ka informacione se sa kompani apo ndërmarrje në Tetovë janë duke shfrytëzuar masat e Qeverisë për subvencionim të rrogave të punëtorëve.



