17 April
Edhe përkundër premtimeve se pika për ngarkim shkarkim e mbeturinave do të jetë gati në mars dhe deponia në hyrje të Tetovës do të pastrohet, kjo akoma nuk ka ndodhur. Ndërtimi i saj ka filluar që me fillimin e vitit, por mungesa e mjeteve financiare ka shkaktuar vonesën e punëve. Nga Ndërmarrja Publike Komunale vazhdojnë edhe më tej të premtojnë se kjo pikë ngarkim shkarkimi do jetë gati brenda disa ditësh, edhe përkundër asaj se kanë mbetur edhe shumë punë që ajo të vihet në funksion. Nga kjo ndërmarrje po ashtu thonë se kjo pikë e ngarkim shkarkimit nuk do të ndotë ambientin, edhe pse nuk do të jetë e mbyllur siç u premtua në fillim për të penguar përhapjen e erës së keqe, por do të jetë e hapur.
Siç e shihni punimet vazhdojnë, jemi në pjesën finale të përfundimit të stacionit të ngarkim shkarkimit, besoj se në fund të muajit apo fillim të muajit maj kjo punë do të kryhet. këtu është stacion i ngarkim shkarkimit dhe pozitiviteti i saj është se këtu mbeturinat nuk do ta ndotin ambientin do hidhen në hinkë dhe pastaj në kontejnerë të mbyllur – tha Nazif Jashari, Ndërmarrja Publike Komunale.
Nga ndërmarrje pretendojnë se është pastruar rreth 80 për qind e deponisë por filmimet e kamerës së televizionit Alsat dëshmojnë të kundërtën. Mbeturinat vetëm janë dislokuar në pjesën e pasme të deponisë, dhe kjo për shkak se vendi ku më parë hidheshin mbeturinat me ligjin për denacionalizim i është kthyer pronarit të vet.
E vërtetë është se pak jemi vonuar me tërheqjen e mbeturinave në pjesën hyrëse të Tetovës, por pjesa dërmuese e mbeturinave në hyrje të Tetovës është larguar, diku rreth 80 për qind. Shpresojmë, pasi që ky është hendikepi i ndërtimit të kësaj pjese dhe me rregullimin e kësaj pjese të stacionit të ngarkim shkarkimit shpresojmë që së shpejti do i largojmë edhe prej atje – theksoi Nazif Jashari, Ndërmarrja Publike Komunale.
Përndryshe, me futjen në punë të pikës së ngarkim shkarkimit të mbeturinave, Ndërmarrja Publike Komunale do të ndërpresë hedhjen e mbeturinave në Rusino të Gostivarit, dhe të njëjtat do i merr Drislla e Shkupit me mjetet e veta.
Bashkim Sulejmani