“Sot, në Ditën e Evropës, është e papranueshme që qytetarët mos jenë të informuar se sa është borxhi i Komunës, kujt i kemi borxh, në kohën e kujt dhe për çfarë arsye është krijuar ky borxh? Sot, në Ditën e Evropës, po të kishim shtet të së drejtës, këta funksionarë do të përgjigjeshin për keqpërdorime të detyrës zyrtare dhe do të përballeshin me gjykatat”, deklaroi Arjanit Xhaferi, kryetar i Lëvizjes Eco Guerilla
Tetovë, 9 maj – Lëvizja Eco Guerilla ka drejtuar një sërë akuza në drejtim të kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Pikërisht në Ditën e Evropës, kjo organizatë ambientaliste ka nënvizuar se komuna fsheh informacionet se si harxhohen paratë e qytetarëve.
“Sot, në Ditën e Evropës, është turp të fshehësh informacionet se si harxhohen paratë e qytetarëve nga Komuna dhe Ndërmarrjet Publike. Edhe pse mori përsipër se do jetë transparente dhe do të publikojë Raportin financiar për vitin e kaluar dhe për 10 vitet e kaluara, kjo kryetare vazhdon me avazin e vjetër me dy faqe bilanc përfundimtar u hedh pluhur syve të qytetarëve. Me këtë papërgjegjësi të skajshme, na bën të dyshojmë se ka keqpërdorime serioze. Sot, në Ditën e Evropës, është e papranueshme që qytetarët mos jenë të informuar se sa është borxhi i Komunës, kujt i kemi borxh, në kohën e kujt dhe për çfarë arsye është krijuar ky borxh? Sot, në Ditën e Evropës, po të kishim shtet të së drejtës, këta funksionarë do të përgjigjeshin për keqpërdorime të detyrës zyrtare dhe do të përballeshin me gjykatat”, deklaroi Arjanit Xhaferi, kryetar i Lëvizjes Eco Guerilla. Më tej, Xhaferi ka drejtuar akuza edhe për gjendjen aktuale me shumë probleme akute të qytetit të Tetovës.
“Sot, në ditën e Evropës vazhdojmë të mashtrohemi kur kryetarja me nënshkrimin e saj më 9 tetor 2017, mori përsipër se rrugët e lagjeve tona, para shtëpive tona do të pastrohen së paku njëherë në muaj, me ujë. Sot, në Ditën e Evropës, jetojmë në një qytet ku pluhuri në rrugët e lagjeve tona ende është pjesë e përditshmërisë për fëmijët tanë. Rrugët e qytetit tonë nuk pastrohen si në Evropë, por pastrohen vende-vende ende si në shekullin e 19, pa makineri dhe infrastrukturë moderne. Shkaktare për sëmundjet respiratore të fëmijëve është pikërisht pluhuri që ata thithin nga ambienti. Sot, në Ditën e Evropës, Tetova është qyteti me më pak hapësira të gjelbërta. Edhe ato pak hapësira që kishin mbetur, po betonizohen çdo ditë. Sot, në Ditën e Evropës, policia e trafikut në Tetovë është bashkëfajtore dhe e paaftë për ta zgjidhur kaosin e trafikut në qytet. Sot, në Ditën e Evropës, Tetova vazhdon të mbetet pa transport publik”, tha Xhaferi, në pres konferencën me gazetarë në Ditën e Evropës.
“Sot, në Ditën e Evropës, uzurpimi i hapësirave publike ne Tetovë është bërë zakon i të fortëve me vite. Ne e përshëndetëm nismën e Komunës për çlirimin e hapësirave publike të uzurpuara, dhe e inkurajojmë atë ta vazhdojë këtë operacion me intensitet edhe më të lartë, dhe të mos jetë selektive, posaçërisht në trotuaret e zaptuara që pamundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Anarkia duhet të marrë fund dhe vendosja e rendit dhe shtetit të së drejtës duhet të jetë pjesë e jetës së përditshme. Sot, në Ditën e Evropës qytetarët e Tetovës meritojnë të kenë qytet, me infrastrukturë efikase rrugore, linja të rregullta të transportit publik, parkingje nëntokësore, ambient të pastër jetësor, dhe parqe të gjelbëra që ruhen e mirëmbahen”, theksoi Xhaferi. Nga Komuna e Tetovës nuk kanë dashur të komentojnë akuzat e Lëvizjes Eco Guerilla. (Koha.mk)