Tetova u rikthye në vendin parë në ranglistën e qyteteve më të ndotura në botë. Në listën e publikuar mbrëmë në online-bazën e të dhënave NUMBEO, që ka të bëjë me informacionet për ndotjen, harxhimet jetësore nëpër vendet dhe qytetet, mbrojtjen shëndetësore, krimin dhe trafikun, Tetova u rendit e para. Lista është përpiluar sipas indeksit të ndotjes për mesin e vitit 2020.
Indeksi I ndotjes në Tetovë është 97.44. Pas Tetovës në vendin e dytë është renditur Katmandu i Nepalit me indeks të ndotjes 95.85, në vendin e tretë Faridabadi i Indisë me indeks të ndotjes 94.74, në vendin e katërt Kabuli i Afganistanit me indeks të ndotjes 94.68.
Stacioni automatik i monitorimit të cilësisë së ajrit ambiental në Tetovë tregon se vetëm dy nga 24 ditët e nëntorit, kanë qenë me ajër të pastër, respektivisht me më pak se 50 mikrogram për metër kub të grimcave PM-10. Gjatë vitit 2020 janë shënuar 105 ditë ku është tejkaluar vlera kufizuese e koncentrimit të grimcave PM10.
Shkupi është renditur I 39-ti me indeks të ndotjes 82,92.
Qyteti me ajër më të pastër në botë sipas të dhënave të NUMBEO-s është Helsinki i Finlandës me indeks të ndotjes 13, 08.