Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, tha sot se tetë qytetarë tanë kanë qenë në lokacionet ku ka ndodhur tërmeti në Turqi, dy prej të cilëve kanë mbetur të lënduar, njëri prej tyre me lëndime më të rënda.
“Ne sot kemi punuar gjatë gjithë ditës për këtë çështje, përfaqësuesit tanë nga MPJ janë duke kontaktuar Ambasadën në Ankara dhe Konsullatën e Përgjithshme në Stamboll, kështu që kemi marrë informacione për qytetarët tanë që ndodheshin në lokacionet ku ka ndodhur tërmeti. Është vendosur edhe komunikimi me familjet e tyre. Sipas atyre informacioneve, tetë qytetarë tanë kanë qenë në ato lokacione, dy prej të cilëve janë lënduar, njëri me lëndime më të rënda dhe ndaj tij është bërë intervenim kirurgjik”, tha Osmani në konferencën për media pas Konferencës për Antisemitizëm.
Ai shprehu besimin se diplomatët tanë tashmë kanë mbërritur në lokacione dhe se atëherë do të kemi informacione më të sakta.
Osmani po ashtu tha se sot ka komunikuar me ministrin e Jashtëm turk të cilit i ka shprehur ngushëllimet për ngjarjen tragjike.