EMISIONI VETTING
Myzyri dhe prapaskena me tenderin e uniformave të policisë
Në korrik 2020, kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike do të emërohej Jonaid Myzyri dhe disa ditë pas emërimit të tij do të shpalleshin fitues të tenderit të uniformave të policisë bashkimi i kompanive ”D&E” SHPK dhe “SUMMER CONF. s.r.l” dhe “LOVERS s.r.l” dhe “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC. AS A. VEDAT YAKUPOGLU”. Pavarësisht ankesave për këtë procedurë, ky tender do të fitohej nga konsorciumi i kompanive, pasi ishin skualifikuar kompanitë e tjera.
Edhe pse pati ankesa dhe kundërshtime, Agjencia e Prokurimeve nuk do të kishte hetim administrativ për këtë tender.
Roli i Agjencisë së Prokurimeve Publike është verifikimi i zbatimit të procedurave të prokurimit publik dhe ankandit publik pas fazës së nënshkrimit të kontratës. Në rast shkeljesh të dispozitave ligjore dhe nënligjore, ky institucion vendos gjoba dhe propozon marrjen e masave administrative deri në përjashtimin e kompanive nga gara për tenderat.
Por në këtë rast ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka zbuluar paligjshmërinë.
Mesa duket historia e këtij tenderi ka fije, që jo vetëm hedhin dyshime për neglizhencë të qëllimshme nga APP-JA, por zbulojnë se Myzyri në deklarimin e pasurisë, ka fshehur vlerat monetare të përfituara nga transaksione financiare.
Sipas avokates Erjola Përlesi, vlerat monetare duhet të deklarohen pavarësisht kohës kur është realizuar transaksioni pasi duhet të dihet nga e ka prejardhjen.
Konkretisht, në vitin 2020, Jonaid Myzyri do të themelonte me Gëzim Fezollin kompaninë “AGRO POLIS”, aksionet e së cilës do t’ia shiste në 7 korrik 2020 Valbona Ndrepepaj me vlerë 510 euro, dy ditë përpara se të zgjidhej kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike nga Parlamenti.
Nga deklarata fillestare e pasurisë nga kreu i KPP-së rezulton se transaksioni i shitjes së 51% të aksioneve të kësaj kompanie nuk është deklaruar nga Jonaid Myzyri.
Njëri nga pronarët e kompanisë fituese të tenderit të uniformave të policisë, “”D&E” shpk rezulton në pronësi të Ismail Kadiut. Kadiu deri në vitin 2018 ka qenë bashkëpronar me Gëzim Fezollin te kompania “Liberest Grup” (ish LIBEREST), kompani e cila me VKM-në e 2014 ka marrë sipërfaqe toke me kontratë 1 euro.
Fezolli ka qenë ortak me Jonaid Myzyrin tek kompania “AGRO-POLIS”, transaksion të cilin Joniad Myzyri e ka fshehur.
Sipas avokates Erjola Përlesi, çështja e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë ka specifika, që sjellin masa të ashpra kur nuk zbatohet ligji.
“Të deklarojë pasurinë financiare si edhe prejardhjen e tyre, në rast se nuk e deklaron kemi refuzim të deklarimit që sjell humbjen e funksionit dhe ndëshkim nga kodi penal”, tha për “Vetting” avokatja Përlesi.
Por në këtë rast ngrihen disa pyetje:
Pse e ka fshehur lidhjen e tij me Gëzim Fezollin, Jonaid Myzyri? Cila janë arsyet kaq të forta që Myzyri të rrezikojë postin?