Fatmir Bytyqi
Vëllimi dhe thellësia e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19 nuk kurseu nga problemet asnjë segment të ekonomive kombëtare të botës. Kur flitet për tregun e punës dhe përshkueshmërinë e tij për të rinjtë, rreth asaj që ka shkaktuar kriza, është konstatimi i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP) nga qershori i vitit 2021, i cili thotë se “kriza ka çrregulluar thellësisht arsimimin, trajnimin dhe punësimin e të rinjve, duke ua vështirësuar gjetjen e një pune, kalimin me sukses nga arsimimi dhe trajnimi në punë, ose fillimi i një biznesi dhe duke i vënë ata në rrezik të një trajektoreje të reduktuar të të ardhurave dhe avancimit gjatë jetës së tyre.” Vështirësitë, çrregullimet, rreziqet janë kategoritë kryesore që përcaktojnë situatën me tregun global të punës për të rinjtë, gjë që tregon një atmosferë pasigurie.
Në vitin 1977 ekonomisti i shquar Xhon Kenet Galbrajt , në veprën e tij “Epoka e pasigurisë”, duke vënë në dukje kontrastin midis sigurisë së madhe të mendimit ekonomik në shekullin e 19-të dhe pasigurisë së madhe me të cilën u përball ekonomia në fillim të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, thotë “nga ajo siguri sot ka mbetur shumë pak”. Nëse marrim parasysh ndërlikueshmërinë e problemeve me të cilat përballet njerëzimi sot, do të ishte një mrekulli e vërtetë nëse kjo ndjenjë sigurie do të mbijetonte”. Ne mund ta marrim këtë qëndrim të Galbrajtit si një argument për tezën se zhvillimi qytetërues i parë përmes prizmit të Revolucioneve Industriale përpara ekonomisë krijon një “sasi” në rritje të pasigurisë. Nëse Revolucioni i Parë dhe i Dytë Industrial u perceptuan si të mbushur me siguri, që jep siguri në projeksionet dhe pritjet ekonomike, tashmë në të Tretin vlerësohet se siguria po zhduket dhe tani kemi hyrë në Revolucionin e Katërt Industrial. Është procesi thelbësor i ekonomisë globale të cilit duhet t’i japim një përgjigje, në të cilin duhet të kornizojmë perspektivat e zhvillimit të të rinjve, aftësitë dhe pritshmëritë e tyre për sukses, për vende të paguara mirë të punës.
“Pasiguria në lidhje me perspektivat e tregut të punës për të rinjtë është dukshëm e lartë”, vlerëson ONP në raportin e fundit “Tendencat globale në punësimin e të rinjve 2022 – Investimi në të ardhmen transformuese për të rinjtë”, gjë që tregon se të rinjtë u prekën më shumë nga rrethanat e jashtëzakonshme në ekonomi. Shkalla globale e papunësisë së të rinjve, të moshës 15 dhe 24 vjeç, u rrit nga 13% në 2019 në 15,5% në vitin 2021.
Ne po hyjmë në një periudhë rimëkëmbjeje ekonomike pas pandemisë, por rreziqet dhe pasiguritë janë ende këtu, për sa i përket zinxhirëve të shpërndarjes, rritjeve të çmimeve, çrregullimeve financiare dhe tensioneve dhe konflikteve gjeopolitike. Ky kontekst global, të cilit i ekspozohet edhe ekonomia jonë, kërkon një kuptim të tendencave që mbeten me ne deri në fund të kësaj dekade, me synimin kryesor që të ndërtojmë një qasje transformuese afatgjatë në strukturën tonë ekonomike dhe për të rinjtë ta bëjmë atë gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe rezistente.
Janë pesë klasterë ekonomikë që vlerësohen se kanë potencialin më të madh për absorbimin e të rinjve, konkretisht: “ekonomia e gjelbër” (ekonomia e qëndrueshme ekologjikisht), “ekonomia blu” (përdorimi i qëndrueshëm i burimeve ujore), “ekonomia e platinit” (teknologjitë digjitale), “ekonomia portokalle” (industritë kreative) dhe “ekonomia vjollce”) (kujdesi, shëndetësia dhe arsimi).
Argumenti kryesor që ne si shtet duhet të pranojmë dhe të përfshijmë në politikat kombëtare të zhvillimit është se investimi dhe zhvillimi i synuar i këtyre sektorëve ekonomikë, me theks dhe rëndësi të veçantë në tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin, do të japë implikime transformuese afatgjata, të cilat janë thelbësore për përcaktimin dhe promovimin e një të ardhmeje më të mirë për të rinjtë duke rritur punësimin e tyre në treg.
Sipas një modeli makroekonomik kompjuterik të zhvilluar nga “Cambridge Econometrics “ për nevojat e ONP, në të cilin zhvillohen disa skenarë me pesë sektorët ekonomikë të përmendur më parë, mund të priten ndryshime strukturore në tregun e punës për të rinjtë. Sipas modelit, vlerësohet se rritja e pritshme e PBB-së globale prej 2,9% si rezultat i zhvillimit të këtyre sektorëve në vitin 2030 mund të marrë një vlerë shtesë prej 4,2% rritje, duke krijuar 32 milionë vende të reja pune të disponueshme për të rinjtë e moshës nga 15 deri në 29 vjeç.
Elementët e rëndësishëm që çojnë në forcimin e pozitave të të rinjve në tregun e punës, gjatë tranzicionit kombëtar drejt ekonomisë së gjelbër, janë nxitja dhe rritja e investimeve neto në teknologjitë që reduktojnë emetimet e CO2. Braktisja e prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri dhe pranimi i burimeve të rinovueshme të energjisë vlerësohet si një faktor pozitiv. Ndikim pozitiv ka avancimi i efikasitetit të energjisë në përdorimin e pajisjeve elektrike dhe infrastrukturës së ndërtesave, pra ndërgjegjësimin më të madh për rritjen e kursimit të energjisë në objekte, siç është futja e automjeteve që nuk përdorin si lëndë djegëse naftë apo derivate të saj, pra makina elektrike, makina që përdorin bioenergji apo hidrogjen. Ky vlerësim i tranzicionit të gjelbër përfshin zbulimin e shpërndarjes së vendeve të reja të punës. Rritja më e madhe e vendeve të reja të punës pritet në vitin 2030 në sektorin e ndërtimit (17,8 milionë vende pune), e ndjekur nga “shërbimet e tjera” (8,33 milionë), nga ana tjetër punësimi në industritë ekstraktive bazuar në shfrytëzimin e lëndëve djegëse fosile (thëngjill, naftë dhe nxjerrja e gazit), pritet të ulen për 8,1 milionë në vitin 2030. Ndryshime shumë të vogla në rënie janë parashikuar në sektorët e arsimit, administratës publike dhe mbrojtjes.
Burimet ekonomike për zhvillimin e shtetit po humbasin bazën materiale, digjitalizimi është ai që modelon shanset e suksesit dhe ndryshon vendet e punës që do të jenë në dispozicion të të rinjve. Sektorët e karakterizuar nga një shkallë e lartë intensiteti digjital tregojnë se punësimi i të rinjve në to është më intensiv dhe më i qëndrueshëm. Intensiteti digjital po rritet në mënyrë progresive nga bujqësia në industri, nga industria në shërbime dhe rëndësia e tij në krijimin e vendeve të punës tregohet nga të dhënat se sa mund të presin të rinjtë vetëm nga investimi dhe zhvillimi i infrastrukturës së nevojshme digjitale. Nga përhapja e saj, në vitin 2022 u krijuan 5.904.000 vende pune dhe në vitin 2030 numri llogaritet të arrijë në rreth 24 milionë, nga të cilat 6,4 milionë do të jenë për të rinjtë, të përqendruara në sektorët e ndërtimit dhe TIK, si dhe në sektorët e shpërndarjes dhe shitjes me pakicë.
Këta janë faktorët strukturorë të aktivitetit ekonomik në dekadën e tretë të shekullit të 21-të, përpara të cilit ne jemi përballur institucionalisht në përpjekjet për të lehtësuar qasjen në tregun e punës për të rinjtë, respektivisht reduktimin e “sasisë” së pasigurisë në kërkimin e vendeve të paguara mirë të punës.