01 July
Maqedonia vazhdon të jetë në fazën “portokalli” për shkak të temperaturave tropikale. Por edhe përkundër rekomandimeve të shumta që të shmangen daljet nga ora 11 deri në orën 17 të ditës dhe sidomos punëtorët të ndërpresin aktivitetet në këtë orar, një gjë e tillë nuk respektohet në terren. Kamera e Alsat në qendër të qytetit vërejti punëtorë të cilët merreshin me punë ndërtimore në temperatura pothuajse 40 gradë celsius.
Ndërkohë Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka kërkuar nga punëdhënësit që të respektojnë rekomandimet dhe të riorganizojnë orarin e punës, ndërsa të moshuarit dhe gratë shtatzënë të lirohen nga obligimet. Kjo ministri gjithashtu ka njoftuar se inspektorët gjatë fundjave janë në terren për të parë nëse rekomandimet e saj po respektohen.
Punëdhënësve u rekomandohet ta riorganizojnë orarin e punës në drejtim të evitimit të aktiviteteve në të hapur në periudhën nga ora 11 deri në orën 17. MPPS informon se Inspektorati Shtetëror i Punës, gjatë fundjavës punon me ekipe kujdestare prej 30 inspektorëve- thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Edhe Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes gjatë lëvizjeve në këto temperatura dhe përgatitjes e konsumimit të ushqimit, megjithatë qytetarët e anketuar nga Alsat thonë se obligimet i detyrojnë që të mos i respektojnë rekomandimet.
Shumë keq janë punët shumë nxehet , nuk dilet tash por zori na detyron të dalim, duhet me dal, i kemi dëgjuar nuk duhet të dalim sidomos ata që janë me shtypjen lartë”
E shihni edhe vet shumë nxehtë vështirë është , ne pleqtë nuk duhet të dalim po punët në detyrojnë që të dalim.”
I dimë rekomandimet por kam hall dhe duhet të shkoj tek mjeku”
Rekomandimet i dijë por nuk iu përmbahem , kam nevojë që të dalë jashtë- shprehen disa qytetarë.
Temperaturat afrikane do të vazhdojnë deri nesër, nga kur pritet të shënojnë ulje. Sipas sinoptikanëve të dielën në orët e pasdites priten reshje të shiut dhe breshërit.
Senat Zylbehari

