Vendi këto ditë është kapluar nga temperaturat e larta, madje nga faza e verdhë tashmë ka kaluar në fazën portokalli, ndërsa temperaturat ditore arrijnë mbi 40 gradë.
Sipas paralajmërimit të sinoptikanëve temperatura sot ka arritur deri në 42 gradë, andaj Ministria e Shëndetësisë ka bërë disa rekomandime, të cilat edhe janë miratuar nga qeveria në seancën e mbrëmshme. Disa nga rekomandimet e kësaj ministrie janë: më së paku nga ora 11 deri në orën 17 qytetarët të mos ekspozohen në diell, sidomos gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronik dhe të njëjtit të lirohen nga puna. Poashtu punonjësit ndërtimorë të mos punojnë në ambiente të hapura, ndërsa kopshtet e fëmijëve të mos nxjerrin fëmijët në ambiente të hapura. Edhe kompanitë private rekomandohen ta organizojnë orarin e punës, në mënyrë që punonjësit t’i shmangen diellit.
Edhe nga Instituti i Shendetit Publik i RM bëjnë thirrje për respektim të rekomandimeve të përgjithshme për mbrojtje nga temperaturat e larta si mbathje e rrobave të lehta, mbajtja e syzeve mbrojtëse dhe kapelave, të konsumohet ushqim i lehtë dhe lëngje, sidomos ujë, të bëhet kujdes gjatë përgatitjes dhe konsumimit të ushqimit, si dhe të shmangen produkte termikisht të papërpunuara, si dhe të konsumohet me kujdes akullorja dhe kremërat e ndryshme.
Numri i kontrolleve shëndetësore në institucionet shëndetësore është rritur këto dite si rezulltat i rritjeve te temperaturave dhe shkak për këtë sipas mjekut të përgjithshëm Sedat Limanit është ndryshimi i përnjëhershëm dhe drastik i motit.
“Si zakonisht Shkupi ka këtë mikroklimë, me dimra të acarta dhe me verë me temperatura shumë të larta. Këtë vit pak u vonuan këto temperatura, mirëpo për një periudhë kohore të shkurtër kemi një rritje drastike te temperaturave të përnjëhershme, e cila ndikon në shëndetin e njeriut, sidomos te njerzit e moshur dhe me sëmundje kronike, tek fëmijët, tek gratë shtatzëna, tek njerëzit të cilët kanë ndonjë sëmundje. Në përgjithësi te njerëzit që janë të sëmurë nga sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular, ose të sistemit të frymëmarrjes, duhet të marrin terapi të rregullt”, deklaroi për TV SHENJA, mjeku Sedat Limani.
Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike kanë paralajmëruar se deri të shtunën rajoni do të jetë nën ndikimin e masës shumë të ngrohtë të ajrit, ndërsa nga e diela masa më e freskët e ajrit. Temperatura e ditës do të ulet duke filluar nga pjesët veriore për rreth 5 gradë, ndërsa në pjesët e skajshme juglindore ende do të mbajë mot shumë i nxehtë. Ndërsa gjendja do të ndryshojë duke filluar nga dita e hënë, ku moti do të jetë i ndryshueshëm dhe i freskët, me shi lokal. Do të fryj erë e forcuar nga drejtimi verior e cila do të shkaktojë ulje të konsiderueshme të temperaturës, e cila të hënën dhe të martën do të jetë në interval prej 22 deri në 31 gradë. Pastaj temperatura përsëri do të jetë në rritje të vazhdueshme.
Emine Ismaili /SHENJA/
Temperaturat arritën në 42 gradë, rritet numri… by tvshenjaofficial

