Shoqata e pensionistëve Dibër-Qendër Zhupë ka shprehur shqetësime për hallet e shumta me të cilët ballafaqohen mbi 2500 pensionistë të kësaj ane. Problemet kryesore kanë të bëjnë me numrin e madh të pensionistëve që marrin pensione të ulëta, si dhe me atë se çfarë do të bëhet me pleqtë e vetmuar, numri i të cilëve po rritet nga viti në vit për shkak të migrimit masiv të popullatës së re. Kryesia e shoqatës në fjalë ka ndërmarrë shumë aktivitete për përmirësimin e situatës, por duket se kjo është e pamjaftueshme. Pensionet që i marrin pjesa më e madhe e pensionistëve nuk dalin as për ilaçet që të njëjtit duhet t’i marrin.
Për fat të keq, standardi i pensionistëve në Dibër dhe Qendër Zhupë ka shënuar ulje drastike. Kjo vjen si rezultat i pensioneve të ulëta që marrin pensionistët e të dy komunave, por edhe rritjes së çmimeve në përgjithësi. Udhëheqësia e shoqatës shpreh shqetësime në këtë drejtim dhe shpesh duke ndërmarrë aktivitete, tenton të tejkalojë shumë çështje të cilët janë problem i gjeneratës të tretë. Këtë për gazetën KOHA e potencon kryetari i shoqatës, Petrit Imami, ndërsa thotë se mbi 40 për qind e pensionistëve dibran dhe ata të Komunës rurale Qendër Zhupë, kanë pensione të ulëta, me të cilët nuk mund të mbulojnë harxhimet mujore.
“Pensionet duhet të rriten meqë të njëjtat janë të ulëta. Nëse kemi parasysh se afër gjysma e pensionistëve – nga 2500 gjithsej në të dyja komunat, marrin pensione të ulëta, atëherë është e qartë se situata është problematike dhe kemi ulje drastike të standardit. Një pjesë tjerët merr pensione mesatare, kurse ata me pensione të larta në ty dy komunat janë në numër të vogël”, tregon Imami.
Për shkak të pensioneve të ulëta, mërgimtarët dibran nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe Amerika janë ata të cilët sjellin remitenca për të afërmit të tyre në vendlindje. Një problem po ashtu shumë i madh i kësaj kategorie është e numri i madh i pensionistëve të vetmuar si në qytet, ashtu edhe në fshatra. “Afër 30 për qind e pensionistëve jetojnë të vetmuar”, thotë kryetari i Shoqatës, Petrit Imami dhe shton se problemi është akut. Meqë në Dibër nuk ka “azil për pleq”, atëherë vetmia tek pensionistët kërkon përkrahje nga institucionet. Në Komunën rurale Qendër Zhupë janë angazhuar nëpërmjet një projekti 22 përkëdhelës nga Ministria për Politikë Sociale që interesohen për pleqtë të vetmuar dhe projekti ka sukses, thotë kryetari i Komunës Qendër Zhupë, Arjan Ibraim. Por deri tani, një projekt të këtillë në Dibër nuk ka edhe pse edhe Dibra ka probleme të shumta me pleqtë e vetmuar.
Sipas sekretarit të Kryqit të Kuq në Dibër, Isni Telqiu, pritet që një projekt i këtillë të nis edhe në Dibër. Udhëheqësia e Shoqatës së Pensionistëve në Dibër ka informuar se në një situatë të pavolitshme të pensionisteve, shpeshherë jepen me këste dru për ngrohje për pensionistët të varfër, si dhe ofrohen ndihma materiale. Edhe në mbledhjet e Këshillit drejtues të Shoqatës shpesh kërkohet rritja e pensioneve, por edhe nevoja për ndërtimin të një azili për pleq, meqë ka raste kur të moshuar nga Dibra janë vendosur në azile të qyteteve tjera të vendit. (koha.mk)