Një incident me armë zjarri ka alarmuar banorët e rrugës Bekim Fehmiu në Prishtinë, ku rreth orës 00:30 të datës 26 qershor, janë dëgjuar të shtëna të njëpasnjëshme pranë Hotel Bavaria.
Burime të sigurta të media bëjnë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë, përfshirë hetuesit dhe forenzikën nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, të cilët kanë gjetur dhe sekuestruar 8 gëzhoja të armës së shkurtër, të shpërndara në rrugë dhe trotuar.
Ngjarja është denoncuar nga një qytetar, i cili ka deklaruar se ka qenë dëshmitar i gjuajtjes, ndërsa kamerat e sigurisë në zonë janë lokalizuar dhe do të shfrytëzohen për identifikimin e të dyshuarve.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” sipas nenit 367 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar autorin apo autorët e këtij akti, i cili ka rrezikuar sigurinë publike në zemër të kryeqytetit.