Institucionet kompetente vazhdojnë të tallen me fatin e banorëve të zonave të përmbytura të strehuar në konviktin “Tome Stefanovski Seniç”. Alsat M mëson se Qendra për rehabilitim “Ranka Millanoviç” pjesë e Qendrës sociale “25 maji” ku duhet të transferohen këta banorë nuk i plotëson kushtet. Në këtë qendër fillimisht duhet përmirësohen kushtet dhe më pas të zhvendosen banorët e zonave të përmbytura. Drejtori i Qendrës “25 maji” tha se nuk ka pranuar ndonjë vendim nga Ministria për të strehuar banorët. As nga Ministria e punës dhe politikës sociale nuk tregojnë se ku do të strehohen banorët e zonave të përmbytura. Nga ky dikaster thonë se banorët do të duhet të plotësojnë një dokumentacion dhe të njëjtin ta dorëzojnë në qendra për punë sociale të cilat më pas do të shqyrtohen. Banorët e strehuar në Tome Stefanovski Seniç vazhdojnë të shprehin shqetësimin e tyre se do të mbeten në rrugë.
Nuk janë asnjë të pëlqimit të shkojnë prej këtu, nuk e di ku na dërgojnë, nuk na treguan vendin e saktë ku do të na dërgojnë. Mirëpo, edhe kjo nuk është në rregull, shpërngulu sot e shpërngulu nesër, duhet të gjendet zgjidhje, dëmshpërblimet nuk i kanë dhënë as 15 %. Tash është punë se duhet të merren masa e mos të luhet politika e ftoftë e nxehtë, nuk e dimë se si I kanë punët në Qeveri por ne si qytetarë të rëndomtë mos të biejmë viktimë e tyre, se vetëm ne dimë se me çfarë jemi përballë – thotë Fatmir Gashi, banor i Hasanbegut.
Për momentin në konviktin “Tome Stefanovski-Seniç” janë të strehuar 79 persona nga zonat e përmbytura. Këta të fundit madje nuk përjashtojnë edhe fillimin e grevës së urisë nëse nuk zgjidhet asgjë në favor të tyre.
Melihate Rustemi