Ndryshimi i orës po afron. Të dielën, më 25 tetor, fillon llogaritja dimërore e kohës, me ç’rast akrepat e orës në orën 03:00 do të kthehen një orë prapa, përkatësisht në orën 02:00. Kjo do të thotë se do të fitojmë një orë shtesë gjumë.
Ndryshimi do t’u mundësojë qytetarëve të flenë një orë më gjatë gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës, por njëkohësisht do të sjellë edhe errësim më të hershëm gjatë orëve të pasdites.
Sipas kalendarit aktual, llogaritja verore e kohës në vitin 2027 pritet të fillojë më 28 mars, kur akrepat e orës do të lëvizin sërish një orë përpara. Ndërkaq, kthimi në orën dimërore vitin e ardhshëm është paraparë për 31 tetor.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ndryshimi i orës dy herë në vit do të vazhdojë patjetër deri në vitin 2031. Nëse Bashkimi Evropian merr një vendim të ri dhe miraton rregulla të tjera ndërkohë, ndryshimi sezonal i orës mund të hiqet edhe më herët.
Ideja për heqjen e kësaj praktike në Bashkimin Evropian diskutohet prej disa vitesh. Parlamenti Evropian në vitin 2019 mbështeti propozimin për ndërprerjen e ndryshimit sezonal të orës, por shtetet anëtare deri më tani nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare nëse duhet të ruhet ora verore apo ajo dimërore.



