Policia e Fierit ka arrestuar tre persona pas një incidenti të ndodhur në këtë qytet, ku agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) u përfshinë në një konflikt me të afërm të Agron Kapllanajt.
Sipas njoftimit të policisë, të arrestuarit janë dërguar në paraburgim për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”, një akuzë që lidhet me përplasjen e ndodhur gjatë një operacioni të BKH-së. Agjentët e BKH dhe operacioni i saj kishin shkuar në Fier për të realizuar veprime hetimore, kur janë konfliktuar me anëtarë të familjes Kapllanaj.
Ndërkohë, mësohet se Policia e Fierit ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe pasojat e këtij incidenti, ndërsa tre personat e arrestuar janë akuzuar për ndërhyrje dhe sulm ndaj autoriteteve gjatë ushtrimit të detyrës.
“Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së pasditen e sotme kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit.
Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme.
Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, njoftoi policia mbrëmjen e së martës (15 Prill).