Qeveria ka bërë ndryshime në ligjin për pasurit e patundshme për banim apo dyqane për shitje të cilat nuk shfrytëzohen nga poseduesit e tyre. Sipas njoftimit, tatimi do të rritet tri herë më shumë për ata pasuri të patundshme që nuk shfrytëzohen në krahasim me ata të cilat janë të shfrytëzueshme. Ndryshimet e miratuara, nga projektligji për tatimin në pronë, në procedurë të rregullt pritet të hy në fuqi që nga një janari i vitit 2022.
PËR PRONAT E PASHFRYTËZUARA TRI HERË MË SHUMË TATIM
Ndryshimet parashikojnë që pronat në pronësi të shtetit, dhe pronat e personave fizikë dhe juridikë, të cilat nuk përdoren për më shumë se gjashtë muaj gjatë një viti, taksat do të rriten tre herë më shumë në lidhje me normat e përcaktuara me ligj. Sipas paralajmërimeve, me këto ndryshime Qeveria, personat fizik apo juridik, që posedojnë banesë apo dyqane, të cilat nuk shfrytëzohen do t’i paguajnë tatim Komunës në të cilën gjendet objekti tri herë më shumë se vlera e caktuar. Ndërkohë, që nga viti 2005, me procesin e decentralizimit, kompetencat mbi taksat e pronës së patundshme nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP), u kaloi njësive të vetëqeverisjes lokale.
Sipas ligjit për taksën e pronës, norma është proporcionale dhe lëviz nga 0,1 deri në 0,2 për qind të vlerës së tyre të tregut, por kjo ulet për 50 për qind për apartamentet apo dyqanet që shfrytëzohen. Nga ana tjetër, vlera e tregut përcaktohet sipas metodologjisë për përcaktimin e vlerës së tregut të pasurive të paluajtshme. Tatimi progresiv i taksës në pronë është një ide e hershme e LSDM-së, së bashku me idenë e tatimit progresiv mbi të ardhurat. Nga Qeveria, kanë njoftuar se ky ligj është miratuar në mënyrë që të sigurojë një tatim progresiv, dhe të drejtë. “Projektligji do të ketë një ndikim pozitiv në buxhetin e njësive të vetëqeverisjes lokale”, thonë nga Qeveria.
REFORMA TATIMORE NË TË MIRË TË BUXHETIT
Ekspertët e fushës thonë se me këtë ligj, Qeveria duhet të bëjë selektim të rritjes së tatimit mbi pronën e patundshme. Ekonomisti Ali Maksuti, për gazetën KOHA, ka deklaruar se reformat tatimore jo çdo herë janë barë për qytetarët dhe bizneset. Sipas tij, shpeshherë janë nxitje edhe për futjen në përdorim të patundshmërive si pasojë e shumë pronave që hynë në kategorinë e patundshmërive pasive, që nuk gjenerojnë aspak të hyra.
“Me rastin e rritjes së tatimit për pronat e patundshme që nuk shfrytëzohen, shteti ka për qëllim futjen e tyre në përdorim për krijimin e të mirave materiale. Por kjo nëse bëhet fjalë për objektet që mund të jepen me qira, por që nuk janë në përdorim, si tokat bujqësore që mund të jepen në përdorim nëse pronari nuk mund vet të punojë apo edhe pronave tjera që mund të gjenerojnë të hyra”, shprehet Maksuti. Ai nënvizon se autoritetet shtetërore duhet të kenë parasysh që në ligj mos të përfshihen pronat e banimit, pasi siç dihet shumë prona banimi në zona të ndryshme janë të pabanueshme për arsye të mërgimtarëve të shumtë. Prandaj, siç tha ai, duhet të bëhet një përzgjedhje në ligj për pronat që mund të gjenerojnë të hyra, siç janë objektet komerciale të papërdorura, tokat bujqësore , objektet e ndryshme që mund gjenerojnë ty hyra. “Në këtë ligj vlerësoj se nuk duhet të përfshihen pronat e banimit, sepse është një selektim jo i drejtë dhe në këtë rast përveç mbushjesh së buxhetit as një e mirë motivi nuk është në dobi të qytetarëve”, përfundon Maksuti.
Ndryshe, LSDM-ja në platformën e saj zgjedhore ka promovuar vazhdimisht tatimin progresiv të qytetareve por të ardhurat, por në asnjë moment në platformën e saj nuk e ka përmendur rritjen e tatimit mbi pasurit e patundshmërisë të pa shfrytëzuara.




