Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka zhvilluar sot një takim me qytetarët e Kumanovës, ku foli për zhvillimet e fundit politike dhe ecurinë e partisë pas ndarjeve të fundit brenda saj.
“Pas largimit të atyre që ishin të interesuar vetëm për pushtet, Aleanca për Shqiptarët do të rritet fuqishëm dhe do të bëhet forca e parë politike në të ardhmen,” deklaroi Taravari para të pranishmëve.
Ai theksoi se partia tashmë është më e pastër dhe më e përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve. “Ata që u larguan, nuk mendonin për popullin, por vetëm për kolltukun. Madje, disa prej tyre kishin edhe kanale komunikimi me BDI-në,” shtoi ai, duke lënë të kuptohet për një spastrimi të brendshëm politik në parti.
Ndërkaq, Taravari ka folur edhe për distancimin e deputetes Mimoza Musa, e cila u distancua nga kreu i ASH-së dhe u rreshtua me koalicionin VLEN.
“Çdokush e ka bindjen e vet, ashtu si mendon ashtu si vepron. E respektojm çdo vendim të çdo njeriu, kjo është demokraci”, tha Taravari.