Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ishte mysafir në shortkastin “Interkultura” të realizuar nga IMA me moderim nga Robert Alagjozovski. Në këtë intervistë, Taravari foli për arsyet e largimit nga koalicioni qeveritar, gjendjen e të drejtave të komuniteteve, marrëdhëniet ndëretnike e ndërkulturore, si dhe për bllokimin e integrimeve evropiane.
Taravari theksoi se, edhe pse marrëdhëniet ndëretnike nuk ishin arsyeja e drejtpërdrejtë e largimit, ato përbëjnë një ndër arsyet kryesore që çuan në këtë vendim. Ai shpjegoi se prishja e balancës ndëretnike dhe mosrespektimi i marrëveshjeve paraprake për ligjin e përfaqësimit të drejtë ishin tregues se partneriteti nuk po funksiononte.
“Për të qenë i sinqertë, kjo nuk është arsyeja e drejtpërdrejtë, por është një ndër arsyet – po, kjo është e vërtetë. Kishim një marrëveshje mes katër partive të VLEN-it dhe kryeministrit për një ligj të përgatitur nga Aleanca për Shqiptarët, i cili do të garantonte përfaqësim të drejtë për të gjitha komunitetet. U tha se do të miratohej në dhjetor, por kaluan muajt dhe ligji nuk u soll kurrë,” – theksoi Taravari.
⸻
Taravari: Gostivari është shembull i marrëdhënieve ndëretnike funksionale
Duke folur për kohezionin shoqëror dhe marrëdhëniet ndëretnike, Taravari solli shembullin e qytetit të Gostivarit, ku ai është kryetar komune, si model për funksionimin harmonik të komuniteteve të ndryshme.
“Jam shumë krenar që vij nga një qytet si Gostivari, ku shqiptarët, maqedonasit, turqit, romët jetojnë si vëllezër. Të gjitha flamujt – maqedonas, shqiptar, turk, rom – janë të vendosur në komunë. Kjo është dëshmi se mund të bashkëjetojmë në harmoni,” – tha ai.
Megjithatë, Taravari shprehu shqetësimin se në nivel shtetëror, kjo frymë bashkëpunimi dhe harmonie nuk po reflektohet. Sipas tij, perceptimi i përgjithshëm është se ekziston një ndarje e brendshme dhe mungesë e kohezionit ndërmjet komuniteteve.
⸻
Taravari: Maqedonasit duhet të vendosin për identitetin – koha për të ecur përpara me integrimet evropiane
Në bisedën me Alagjozovskin, Taravari komentoi edhe për çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe rrugëtimin evropian të vendit. Ai deklaroi se komuniteti maqedonas duhet të ketë të drejtën ekskluzive për të vendosur për çështjet e identitetit, por se gjithë shoqëria ka interes që Maqedonia të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
“Propozimi francez u përdor politikisht nga VMRO për të tërhequr votues, por thelbi është marrëveshja ndërmjet Maqedonisë dhe BE-së. Është koha që kryeministri të gjejë mënyrën për të vazhduar negociatat, sepse vendi po ngec. Integrimi është interes i të gjithëve – maqedonas, shqiptarë dhe komunitete të tjera,” – u shpreh Taravari.
⸻
Taravari: Qasja nacionaliste e VMRO-së na rikthen në mentalitetin e komunizmit
Kreu i ASH-së kritikoi qasjen e qeverisë aktuale dhe në veçanti të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e krahasuar me mentalitetin e sistemit komunist të kaluar.
“Tek shqiptarët, sidomos, po krijohet përshtypja se jemi kthyer në komunizëm – kur kishte disa shqiptarë në pushtet, por që ishin të dëgjueshëm ndaj regjimit. Ishin aty vetëm si dekor, pa zë dhe pa ndikim. Ne dolëm nga qeveria për të dhënë një sinjal se kështu nuk shkon më. Partneriteti nënkupton barazi dhe respekt të ndërsjellë,” – theksoi Taravari.
Ai theksoi se dalja nga qeveria ishte një hap për të zgjuar ndërgjegjen shoqërore dhe për të kthyer vëmendjen te temat kyçe si bashkëjetesa, integrimet dhe decentralizimi.