Në një nga shtyllat kryesore të Platformës Kombëtare, Arben Taravari ka prezantuar objektivat e Aleancës për Shqiptarët në fushën e arsimit dhe kulturës, duke e cilësuar këtë segment si bazament të identitetit dhe zhvillimit kombëtar.
Sipas Platformës, Aleanca angazhohet për një kurrikulë kombëtare moderne, që do të integrojë vlerat, dijen dhe vetëdijen kombëtare në procesin arsimor, duke filluar nga niveli fillor deri në arsimin e lartë. Për këtë qëllim, programi përfshin investime në infrastrukturën shkollore, digjitalizimin e sistemit arsimor, si dhe mbështetje të fuqishme për universitetet publike dhe kërkimin shkencor.
“Arsimi dhe kultura janë themeli i një kombi të fortë. Kjo është arsyeja pse kemi përqendruar vëmendjen në ndërtimin e një sistemi që i shërben rinisë shqiptare, që forcon identitetin tonë dhe e bën rininë tonë konkurrente në tregun e dijes – vendor e ndërkombëtar,” deklaroi Taravari.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj pike të platformës është theksimi i rolit të gjuhës, letërsisë dhe historisë shqiptare në sistemin arsimor, me qëllim ruajtjen dhe forcimin e trashëgimisë kulturore dhe vetëdijes historike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Po ashtu, platforma parashikon angazhimin e kuadrove shqiptare nga diaspora në jetën akademike dhe hulumtimin shkencor, si dhe zgjerimin e mundësive për bursa dhe shkëmbime ndërkombëtare, në mënyrë që studentët shqiptarë të lidhen me rrjetet globale të arsimit cilësor. Sipas Aleancës, kjo reformë nuk është vetëm çështje arsimore, por strategji kombëtare për emancipim, barazi dhe shtetformim të mirëfilltë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Taravari propozon krijimin e Akademisë Kombëtare Shqiptare
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në kuadër të prezantimit të Pikës së Tretë të Platformës Kombëtare, ka shpallur iniciativën për themelimin e një Akademie Kombëtare Shqiptare. Sipas tij, kjo akademi do të shërbejë si një institucion strategjik për formimin dhe trajnimin e brezit të ri të kuadrove shqiptare në Maqedoninë e Veriut – duke përfshirë kuadro politikë, administrativë dhe shoqërorë – bazuar në parimet e meritës, profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare.
“Krijimi i Akademisë Kombëtare Shqiptare është pjesë e vizionit tonë për një sistem të qëndrueshëm arsimor dhe institucional, ku përgatiten gjenerata të reja që do të jenë bartës të zhvillimit, integritetit dhe përfaqësimit të dinjitetshëm të shqiptarëve në çdo sferë të jetës publike”, theksoi Taravari.
Kjo nismë vjen në një kohë kur përfaqësimi cilësor dhe profesional i shqiptarëve në institucionet shtetërore mbetet një ndër sfidat kryesore në raport me barazinë reale në shtet. Sipas Aleancës për Shqiptarët, akademia synon të jetë një qendër ekselence dhe edukimi strategjik, që do të kontribuojë në formimin e një elite të re kombëtare, të vetëdijshme dhe të përgatitur për përgjegjësi publike.
Taravari shpalos pikën 3 të Platformës Kombëtare: Politikat Arsimore dhe Kulturore
Në vazhdën e prezantimit të Platformës Kombëtare për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, sot prezantojmë Pikën e Tretë – Politikat Arsimore dhe Kulturore, si një shtyllë themelore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afirmimin e identitetit tonë kombëtar.
Platforma përbën orientimin tonë politik, ndërsa realizimi i saj do të bëhet përmes një programi të detajuar qeverisës, i cili do të përmbajë masa konkrete, afate kohore dhe përgjegjësi institucionale.
Arsimi dhe kultura janë bazamenti i një kombi të fortë. Për këtë arsye, ne angazhohemi për:
• Rritjen e cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet përmes investimeve serioze në infrastrukturë, digjitalizim dhe zhvillimin e një kurrikule kombëtare që përçon vlera, dije dhe vetëdije kombëtare.
• Mbështetje të plotë për universitetet publike, nxitjen e kërkimit shkencor dhe përfshirjen e kuadrove shqiptare nga diaspora në jetën akademike vendore.
• Theksimin e rolit të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në të gjitha nivelet e arsimit, për ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare.
• Përforcimin e të vërtetës historike përmes përmbajtjeve që ndërtojnë vetëdije të shëndoshë, dinjitet kombëtar dhe krenari për rrënjët tona.
• Nxitjen e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, veçanërisht te të rinjtë, me synim që rinia shqiptare të jetë konkurrente në tregun vendor dhe ndërkombëtar të dijes.
• Zgjerimin e mundësive për bursa dhe shkëmbime akademike, si dhe lidhjen e studentëve tanë me rrjete ndërkombëtare të arsimit cilësor.
• Krijimin e një Akademie Kombëtare Shqiptare, që do të trajnojë dhe formojë kuadro të rinj politikë, administrativë dhe shoqërorë në frymën e meritës, profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj kombit.
Ky është vizioni ynë për një arsim kombëtar, cilësor dhe modern; për një kulturë që bashkon dhe forcon identitetin shqiptar në çdo cep të vendit, si komb shtetformues në Maqedoni.
Me respekt,
Dr. Arben Taravari
Kryetar i Aleancës për Shqiptarët