As kartona të kaltër e as kartela elektronike, mjafton të keni sigurim shëndetësor në Maqedoni, letërnjoftim ose pasaportë dhe do të mund t’i merrni të gjitha shërbimet shëndetësore kudo. Kështu sqaroi sot ministri i shëndetësisë Arben Taravari, duke theksuar se në bashkëpunim me të gjitha institucionet që lidhen me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin Shëndetësor po punojnë për të gjetur një zgjidhje të përhershme të problemit me kartelat elektronike. Ministri Taravari nuk përjashtoi edhe mundësinë që letërnjoftimit e reja të përdoren edhe për shërbimet shëndetësore.
Prej nesër nuk do të kenë nevojë për ti përdor kartonët e kaltër…ato do të vazhdojnë njësoj të përdorin kartelat e tyre pa marr parasysh se u ka kaluar afati, normalisht bashkë me to do duhet të kenë edhe librezat e shëndetësisë. Nëpërmjet statusit të sigurimit të tyre mundet çdo ordinancë që ka internet , patjetër çdo njëra të ketë mund të shohin a janë të siguruar apo jo. Nëqoftëse paraqitet drita e gjelbër janë të siguruar dhe nëqoftëse paraqitet drita e kuqe nuk janë të siguruar. Kështu që nuk ka absolutisht nevojë për kartela të kaltërta apo të gjelbërta– deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Taravari madje tha se do të kërkojë përgjegjësi ndaj personave të caktuar në Fondin për sigurim Shëndetësor të cilët lëshuan sërish në përdorim kartonët e kaltërt edhe pse nuk kishte nevojë për një gjë të tillë.
Nuk e di kush ishte nga Fondi por do të kërkojmë përgjegjësi përse janë lëshuar në përdorim kartonët e klatër, nuk kishte fare nevojë- shtoi Arben Taravari.
As drejtori në Fondin për Sigurim Shëndetësor, Orhan Ramadani nuk e ka idenë se kush urdhëroi lëshimin në përdorim të kartonëve të kaltër.
Nuk kemi dërgu asnjë shkresë deri te barnatoret që të kërkojnë kartonët e kaltërt- tha Orhan Ramadani, drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.
Ditë më parë, shumë farmaci dhe shtëpi shëndetësore nuk jepnin shërbime mjekësore për shkak të skadimit të afatit të kartelave elektronike shëndetësore ndërsa, nga pacientët kërkonin të kenë me vete kartonët e kaltër të cilët u hoqën nga përdorimi 6 vjet më parë. Kartelat e para elektronike shëndetësore u hodhën në përdorim në vitin 2011. Ato zëvendësuan vetëm kartonët e kaltërt edhe pse ishte paralajmëruar se ato do të zëvendësonin edhen librezat shëndetësore. Qeveria e kaluar për projektin për kartelat elektronike kishte siguruar buxhet prej 7.5 milionë euro, por ish ministri i shëndetësisë Nikolla Todorov sërish vendosi që kartelat elektronike qytetarët vet ti paguajnë në shumë prej 250 denarë për çdo anëtarë.
Melihate Rustemi

