Sekretari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në emisionin “Enter” në TV SHENJA, tha se sipas të gjitha gjasave zgjedhjet do të duhen të mbahen më herët në korrik, në mes apo në fund të muajit.
Ai tha se në qershor është e pamundur që të mbahen zgjedhjet.
“Jo se dikush nuk dëshiron. Të gjithë dëshirojmë të shkojmë në zgjedhje. Por thjeshtë për tu shpallur se në Maqedoni është tejkaluar kriza e Kovid-19, së paku, profesionistët, epidemiologët këtë e thonë: na duhen së paku dy javë, apo 15 ditë, kur do të kemi prej atyre që janë të testuar vetëm pesë për qind, apo ndër pesë për qind të jenë pozitiv. Ne jemi askund tani për tani. Sot ishte mbi pesë për qind”, tha Taravari.
Ai tha se duhet pritur edhe data 15 qershor për të hapen kufijtë për të ardhur përfaqësuesit e OSBE- ODIHR.
Edhe gjate muajit korrik për shkak të situatës shumë qytetarë do të jenë këtu në Maqedoni.