Talat Xhaferi sot hyri në zyrën e kryetarit të Kuvendit, pa forcë dhe pa ndonjë rezistencë nga ish kryetari, Trajko Veljanovski.
Në Kuvend nuk ishin sot as deputetët e VMRO-DPMNE-së, ndërsa mysafiri i parë i Xhaferit ishte ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar.
“Në takim, ambasadori Zhbogar edhe njëherë ka uruar përzgjedhjen e Talat Xhaferit, duke theksuar se me këtë Kuvendi i Maqedonisë vazhdon me procesin e integrimit të plotë në strukturat euroatlantike. Nga ana e tij, kryetari i Kuvnedit, Talat Xhaferi ka theksuar se me marrjen e funksionit, para se gjithash do të punoj në forcimin e demokracisë dhe realizimin e principeve të demokracisë parlamentare në funksionimin e Kuvendit si shtëpi ligjvënëse”, kanë njoftuar në shërbimi informativ i Kvuendit.
Menjëherë pas takimit, përmes profilit të tij në Twiter është prononcuar edhe ambasadori Zhbogar i cili ka siguruar se do të ndihmojë Kuvendin në zbatimin e reformave.
“BE është e gatshme të punoj me kryetarin e ri të Kuvendit Talat Xhaferi për reformat e nevojshme për integrim euroatlantik të vendit”, ka shkruar Zhbogar.
Pas ambasadorit Zhbogar, Xhaferi në një takim tjetër ka pritur edhe zëvendës kryeministrat dhe ministrat e Qeverisë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim të cilët kishin ardhur për t’i uruar detyrën e re. Nga kabineti i Xhaferit thanë se janë duke përmbyllur të gjitha procedurat e nevojshme dhe kanë lëshuar një shkresë zyrtare në gazetën zyrtare për të publikuar emërimin e kryetarit të ri të Kuvendit. Pasi të publikohet vendimi, atëherë Xhaferi pret të deponojë nënshkrimin dhe të marrë vulat.
Por, ndërkohë ndryshimet e para u vërejtën në faqen zyrtare të Kuvendit ku tanimë si kryetar figuron Talat Xhaferi dhe emaili i tij zyrtar. Në zyrën e kryetarit të Kuvendit, përkrah flamurit shtetëror dhe atij të BE-së, Xhaferi kishte vendosur edhe flamurin kombëtar shqiptar.
Pas zhvillimeve të sotme, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka reaguar në rrjetin social facebook. Gruevski e ka vlerësuar si diktaturë marjen e zyrës nga Xhaferi dhe zhvillimet e fundit në Kuvend.
“Në një shoqëri demokratike sundimi i shumicës nëse nuk bazohet në principin e sundimit të së drejtës, kjo paraqet dhe quhet “Diktaturë”. Asnjë qeveri demokratike në botë nuk guxon të zgjidhet me shkeljen e parimit të sundimit të drejtësisë. Kjo në start paraqet diktaturë. Talat Xhaferi hyri në zyrën e kryetarit të Kuvendi me shkelje brutale të Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Kuvendit. Gjithçka që në të ardhmen do të sillet me nënshkrimin e tij, do të jetë frytë i një druri të helmuar, do të jetë frytë i aktit diktatorial për emërimin e Kryetarit të Kuvendit”, ka shkruar Gruevski.
Pasi publikimit të vendimit në gazetën zyrtare dhe pas marjes së vulave, Talat Xhaferi në cilësinë e kryetarit të Kuvendit pritet t’ia nisë një letër zyrtare presidentit Gjorgji Ivanov, për ta njoftuar atë për formimin e shumicës së re në Kuvend dhe mandatarin për formimin e Qeverisë së re.