23 Janar
Pas takimit të dy kryeministrave Zaev dhe Cipras që pritet të mbahet nesër në Davos në kuadër të negociatave për zgjidhjen e çështjes së emrit, në Shkup planifikohet takim liderësh për arritjen e konsensusit të brendshëm. Pavarësisht se akoma nuk është arritur konsensus i brendshëm nacional as në Greqi, takimi mes dy kryeministrave pritet me optimizëm të matur nga të dyja Qeveritë.
Pas përfundimit të takimit në Davos që do ta ketë kryeministri Zaev me kryeministrin, Cipras besoj se do të ketë një takim ndërmjet liderëve të partive politike për të shqyrtuar kornizën dhe pastaj do të marrim një qëndrim visa-vi kësaj kornize – deklaroi Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
Sipas mediave greke, takimi i nesërm ka rëndësi të madhe pasi presin nga kryeministri grek, Cipras të paraqesë në tavolinën e negociatave qëndrimin e Athinës për emër të përbërë me përcaktues gjeografik ose kohor. Ndërkohë autoritetet greke përsërisin qëndrimin se duan një zgjidhje për përdorim të përgjithshëm, respektivisht erga omnes. Kreu i komunës së Selanikut, Janis Butaris për mediat greke tha se është shumë keq që Maqedonia të konsiderohet vetëm greke dhe të protestohet për të, por se gjithsesi Kushtetuta e Shkupit duhet ndryshuar. Ndërsa ambasadori i SHBA-ve në Athinë, Xhefri Pajët pas takimit me Butarisin kishte thënë se tani është momenti ideal për zgjidhjen e çështjes, pasi me ndryshimin e Qeverisë së Shkupit janë krijuar kushte për bisedime konstruktive.
Kur të shkosh për të zgjidhur një problem, duhet t’i shohësh aspektet e të gjitha palëve të përfshira. Duhet t’i jepet fund tensioneve irredentiste në marrëdhëniet me Shkupin. Nuk është në pyetje vetëm emri. Derisa në Kushtetutën e fqiut edhe më tej ka tendenca irredentiste, çështja nuk do të ndryshojë – tha Janis Butaris, Kryetar i Komunës së Selanikut.
Në linjë me Butarisin ishte edhe profesori universitar, Filis Konstantinos në emisionin “360 shkallë”.
Greqia dëshiron që çështja të zgjidhet erga omnes, që d.m.th. se duam një emër për të gjitha përdorimet, emër që do të përdoret si brenda ashtu edhe jashtë. Kjo d.m.th. se nëse duam ta arrijmë një zgjidhje erga omnes, FYROM-i do të duhet ta ndryshojë emrin e saj kushtetues. Nuk jam i vetëdijshëm për dinamikat e brendshme të shtetit fqinj, por supozoj se kjo është një nga çështjet esenciale, por në të njëjtën kohë problemet dhe sfidat me të cilat do të duhet të përballet gjatë muajve të ardhshëm – u shpreh Filis Konstantinos, Universiteti “Partenon” Athinë.
Pas protestës masive në Selanik, një protestë tjetër është paralajmëruar për më 4 shkurt në Athinë. Organizatat e ndryshme joqeveritare përmes rrjeteve sociale po mobilizojnë popullin grek për t’u bashkëngjitur në qendër të Athinës në kuadër të kampanjës “Maqedoni është Greqia”. Negociatat për emrin nga niveli i negociatorëve, pritet që të kalojë në atë të ministrave të jashtëm. Kështu, ndërmjetësi i OKB-së për emrin, Metju Nimic takimin e ardhshëm do ta realizojë me shefat e diplomacive të të dyja vendeve, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocijas.
Anesa Salihu

