Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska sot në Pentagon ka takuar Mara Karlin, ushtruese e detyrës së zëvendëssekretares së mbrojtjes së SHBA-së për politikë të mbrojtjes. Në takimin me Karlin, ministrja theksoi se bashkëpunimi i fuqishëm maqedono-amerikan rrit sigurinë dhe forcon mbrojtjen kolektive në Aleancë, transmeton Portalb.mk.
“Aleanca në NATO nuk është vetëm një fjalë – është vlera jonë më e madhe. Së bashku jemi më të fortë dhe vetëm së bashku mund të mbrojmë vlerat dhe parimet që besojmë si shtete dhe si shoqëri. Më vjen mirë që jemi plotësisht të përkushtuar ndaj bashkëpunimit në mbrojtje. Me mbështetjen amerikane për ushtrinë dhe objektet stërvitore maqedonase, ne po zhvillojmë ndërveprueshmërinë dhe aftësitë e secilit prej pjesëtarëve tanë”, tha Petrovska.
Petrovska falënderoi për mbështetjen e SHBA-së në procesin e modernizimit dhe pajisjes dhe tha se investimet intensive në Armatë, të cilat janë investime në sigurinë e vendit dhe të qytetarëve, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.


