Liderët e partive politike e mbështesin përpjekjet për zbatimin e reformave urgjente prioritare me qëllim që vendi të kthehet sa më shpejt në rrugën euroatlantike. Ata kanë realizuar takime të ndara me komisarin për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han dhe të gjithë i kanë cilësuar takimet si konstruktive.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se në takim është biseduar për të gjitha temat që kanë të bëjnë me proceset integruese, dhe se ai e ka siguruar komisarin Han se BDI do të ofrojë mbështetjen e saj në këtë proces.
“Kemi folur për të gjitha temat që kanë të bëjnë me proceset integruese, reformat në gjyqësi bashkëpunimi me opozitën si dhe të gjitha çështjet që dalin nga Marrëveshja e Shkupit. Sigurova komisarin Han se BDI fuqishëm qëndron pas të gjitha marrëveshjeve që ka pranuar dhe nënshkruar, sigurova se BDI do të punojë dhe do të angazhohet në rrespektim të të gjitha marrëveshjet që i ka arritur për koalicionim”, tha Ahmeti.
Kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, tha se Lëvizja BESA ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me përkushtimin e pamjaftueshëm të Qeverisë që vendi të kthehet në rrugën euroatlantike. Ai shtoi se Lëvizja BESA do të përkrah proceset eurointegruese.
“Ne si lëvizje BESA i shprehëm shqetësimin tonë që edhe kjo Qeveri nuk po vepron me përkushtimin e mjaftueshëm që përfundimisht ti kthehemi rrugës euroatlantike dhe shprehëm qëndrimin tonë që Lëvizja BESA edhe më tutje do të jetë përkrahëse e proceseve eurointegruese dhe urojmë që kjo qeveri vërtetë të jetë reformatore dhe këtio reforma vërtetë të jenë në interest ë qytetarëve“, deklaroi Kasami.
Pas takimit me komisarin Han, u prononcua edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela.
“Tanimë pas krijimit të Qeverisë së re dhe stabilizimit të institucioneve, folëm për tema të cilat i tangojnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, dhe tangon stabilitetin e shtetit. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, në BE, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, Reformat në drejtësi e të tjera, këto kanë qenë temat për të cilat kemi diskutuar“, tha Sela.
Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi nuk u prononcua për mediat, lidhur me takimin nga partia e tij kanë informuar nëpërmjet një komunikate.
“Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi realizoi takim me Komisonerin Johanes Han.Në takim u bisedua në lidhje me reformat të cilat Maqedonia duhet ti përmbushë e që kanë të bëjnë me procesin e integrimeve. Kryetari Thaçi e siguroi Komisionerin Han se PDSH do të jep përkrahjen e saj të plotë reformave dhe proceseve integruese të vendit”, thuhet në komunikatën e PDSH-së.
Komisari Han ka realizuar takim edhe me përfaqësues të VMRO DPMNE-së, ata nëpërmjet një komunikate kanë thënë se qëllimi kryesor i Qeverisë së Zaevit nuk duhet të jetë vetëm marrja e raportit pozitiv, por rekomandim pozitiv për fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE.
“VMRO DPMNE, dëshiron ta sheh shtetin sa më shpejtë si anëtare e BE-së dhe NATO-s, pasi edhe e meriton, kjo është konstatuar në samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008 dhe 2009 nga ana e BE-së. Nëse atëherë shteti do të bëhej anëtare e NATO-s dhe fillonte bisedimet me BE-në, shumë prej sfidave me të cilat është përballuar, nuk do të ndodhnin”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Ndryshe lidhur me reformat urgjente prioritare, në Maqedoni po qëndron edhe eksperti gjerman, ishdrejtor i Drejtorisë për zgjerimin e BEsë, Rajnhard Pribe.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Takimi me Han: Liderër partiak zotohen për… by tvshenjaofficial

