Ndërsa në qendrën sportive “Boris Trajkovski” u mblodhën delegacione të shumta në takimin e Këshillit të Ministrave të OSBE-së, rrugët e kryeqytetit ishin të boshatisura pothuajse tërësisht.
“Është shumë i vogël numri i qytetarëve që sot frekuentojnë rrugët e Shkupit, disa nga qytetarët shfrytëzojnë ditën e lirë, e të tjerët kanë vendosur që thjesht mos të dalin nga shtëpitë e tyre. Si rezultat i kësaj një prej bulevardeve më të frekuentuara në kryeqytet sot duket kështu”, raporton Ajnur Bafqari, gazetare.
Rrugët nuk janë tërësisht të mbyllura, ato mbyllen sipas nevojës, me qëllim qarkullimin e lirë të delegacioneve të huaja. Autobusët e qytetit janë reduktuar dhe kanë ndërruar rrugët e qarkullimit.
Nxënësit, mësimdhënësit dhe punonjësit administrativë në Shkup sot e kanë ditë të lirë. Ndërsa ky vendim nuk vlen për çerdhet dhe institucionet shëndetësore.
“Lëvizja e kufizuar e qytetarëve dhe regjimi i posaçëm nëpër rrugët e Shkupit ka bërë që edhe pronarët e shumë bizneseve të vogla në kryeqytet të mos punojnë. Ata që kanë vendosur të punojnë sot, thonë se dita e sotme është më keq se të dielave”, informon Ajnur Bafqari.
Qeveria pati rekomanduar që pronarët e bizneseve private në Shkup të vendosin vetë nëse do të punojnë ose jo, veçanërisht në komunën e Karposhit dhe rajonet që janë në afërsi të qendrës sportive “Boris Trajkovski”. Për takimin e OSBE-së masat e sigurisë janë të nivelit më të lartë të mundshëm. /Alsat.mk